Onkologjia në Shkup: Çdo muaj përballemi me të njëjtin problem
Mungesa dhe vonesat e vazhdueshme të terapisë për pacientët onkologjikë ishin arsyeja që sot, në temperatura mbi 30 gradë, pacientët me kancer mbajtën protestë simbolike para Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup, raporton Portalb.mk. Ata kër...
Mungesa dhe vonesat e vazhdueshme të terapisë për pacientët onkologjikë ishin arsyeja që sot, në temperatura mbi 30 gradë, pacientët me kancer mbajtën protestë simbolike para Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup, raporton Portalb.mk.
Ata kërkojnë që ky problem i cili përsëritet vazhdimisht të zgjidhet, ndërsa nëse jo nuk bëhet, ata paralajmëruan protesta tjera.
Ana Marjanoviç nga organizata HEMA–ONKO u bëri thirrje partive politike që të mos i përdorin pacientët onkologjikë për qëllime të politikave ditore. Ajo rikujtoi se pacientët protestojnë që nga viti 2023 gati se para çdo institucioni për probleme të ngjashme të cilat nuk janë zgjidhur.
Ajo tha se gjatë javëve të fundit kanë munguar barnat si Zoladex, Fulvestrant dhe Xgeva, vazhdon të jetë e paqëndrueshme, pasi vonesat në furnizim përsëriten pothuajse çdo muaj.
“Çdo muaj përballemi me të njëjtin problem. Ka vonesa prej pesë apo dhjetë ditësh dhe askush nuk na tregon saktësisht ku qëndron problemi. Kemi dëgjuar se fajësohen distributorët, por pacientët meritojnë përgjigje të qarta”, deklaroi Marjanoviç.
Marjanoviç theksoi se mungesat e terapisë po krijojnë frikë, revoltë dhe mungesë informacioni te pacientët, ndërsa kërkesa e tyre mbetet që terapia të sigurohet në kohë dhe pa ndërprerje.
“Për momentin mund të themi se problemi është tejkaluar pjesërisht. Terapia ka filluar të arrijë në Klinikën e Onkologjisë dhe përmes grupit tonë i njoftojmë pacientët se cilat barna kanë mbërritur, në mënyrë që të mos vijnë në këto temperatura të larta dhe të presin me orë të tëra”, tha Marjanoviç.
Marjanoviç paralajmëroi se nëse nuk gjendet një zgjidhje, pacientët do të vazhdojnë protestat, jo vetëm para Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe para Qeverisë, Klinikës së Onkologjisë apo distributorëve përgjegjës.
Ajo ngriti shqetësime edhe për politikat afatgjata në luftën kundër kancerit. Sipas saj, Maqedonia e Veriut dikur ishte ndër vendet lider në rajon në fushën e parandalimit të kancerit, ndërsa sot përballet me ngecje në programet e skriningut, përditësimin e listës pozitive të barnave dhe ndryshimet ligjore në sistemin farmaceutik.
Portalb.mk kërkoi sqarime nga drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Igor Stojkovski për këto probleme. Megjithatë, në vend të përgjigjeve konkrete ndaj pyetjeve tona, ai iu referua njoftimit të publikuar një ditë më parë nga Klinika dhe tha se nuk ka diçka tjetër të thotë.
“Te një pjesë e vogël e preparateve që ndodhen në listën pozitive të Fondit për Sigurim Shëndetësor është evidentuar vonesë e shkurtër në furnizim, si pasojë e disa rrethanave objektive, ndër të cilat rritja e konsumit, shtimi i numrit të pacientëve, periudha ndërmjet dy prokurimeve publike, si dhe mungesa e pjesshme e preparateve te distributorët. Falë koordinimit të hershëm institucional dhe bashkëpunimit me të gjithë akterët përgjegjës, pjesa më e madhe e preparateve të nevojshme tashmë janë siguruar dhe janë dorëzuar në Klinikë, ndërsa sasitë e mbetura pritet të jenë të disponueshme gjatë kësaj jave”, thuhet në njoftimin e Klinikës së Onkologjisë.
Pacientët onkologjikë prej vitesh përballen me mungesë të terapisë. Ata gjithashtu alarmojnë për kushtet çnjerëzore në klinikë, mbingarkesën me pacientë, si dhe problemet e vazhdueshme me skriningjet. Ministri i ri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ngjashëm si paraardhësit e tij premtoi zgjidhje.
Ndërkaq, edhe Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar gjithashtu se programi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje nuk po jep rezultatet e pritura, megjithëse në vitin 2023 janë shpenzuar 22.9 milionë denarë për aktivitete skriningu.
Nga ana tjetër, ekspertët vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta, veçanërisht për kancerin e gjirit, numri i rasteve të të cilit ka shënuar rritje të vazhdueshme në vend.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.