“Oqean në qiell”: Fenomeni i rrallë i reve që po mahnit botën
Forma të pazakonta të reve shpesh na bëjnë të dallojmë fytyra apo kafshë në qiell, një fenomen i njohur si pareidolia. Por disa prej këtyre pamjeve të ngjashme me valët e oqeanit janë reale dhe krijohen nga kushte të veçanta atmosferike. Bë...


Forma të pazakonta të reve shpesh na bëjnë të dallojmë fytyra apo kafshë në qiell, një fenomen i njohur si pareidolia. Por disa prej këtyre pamjeve të ngjashme me valët e oqeanit janë reale dhe krijohen nga kushte të veçanta atmosferike.
Bëhet fjalë për retë Kelvin-Helmholtz, një nga formacionet më të rralla dhe spektakolare të atmosferës. Fotografitë e këtij fenomeni, të publikuara së fundmi në rrjetet sociale, kanë marrë mijëra reagime.
Pamja e tyre është përshkruar nga një përdorues si “oqean në re”.
Retë janë emërtuar sipas shkencëtarëve Lord Kelvin dhe Hermann von Helmholtz, të cilët studiuan procesin fizik që qëndron pas formimit të tyre.
Ato krijohen kur dy shtresa ajri lëvizin me shpejtësi të ndryshme. Kur një shtresë më e ngrohtë dhe më e shpejtë kalon mbi një shtresë ajri më të ftohtë e më të dendur, krijohet një paqëndrueshmëri që i jep reve formën karakteristike të valëve.
Për shkak se kërkojnë kushte shumë specifike atmosferike dhe zakonisht zhduken shpejt, këto re janë të vështira për t’u fotografuar.
Por fenomeni nuk është vetëm një spektakël vizual. Retë Kelvin-Helmholtz mund të jenë edhe tregues të turbulencave atmosferike. Sipas Met Office të Mbretërisë së Bashkuar, kushtet që i krijojnë ato mund të shoqërohen me turbulenca të forta, edhe në zona ku retë nuk janë të dukshme.
Për këtë arsye, fenomeni mund të jetë një sinjal i rëndësishëm për aviacionin.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.