Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka akuzuar VLEN-in se po përpiqet të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik nga çështja e Alta Bankës, duke pretenduar se kjo bankë lidhet me para të zeza në Serbi dhe me regjimin e mëparshëm të Aleksandar Vuçiqit.
Në emisionin “VERDICT” në TVM2, Osmani deklaroi se përmes Alta Bankës kishte pasur përpjekje për shtrirjen e ndikimit ekonomik serb në Maqedoninë e Veriut, ndërsa përgjegjësinë për këtë proces ua atribuoi vendimeve politike.
Ai kritikoi VLEN-in për përfshirjen në debat, duke pretenduar se përfaqësuesit e këtij koalicioni janë bërë zëdhënës të një procesi për të cilin, sipas tij, mund të mos kenë pasur as dijeni.
Osmani mohoi gjithashtu pretendimet e VLEN-it për përfitime të mundshme të personave të afërt me Ali Ahmetin përmes kompanisë “AS Senjak”, e cila përmendet në transaksionet me aksionet e Stopanska Bankës në Manastir dhe më pas me Alta Bankën. Ai i cilësoi këto pretendime si lajme të rreme, të përdorura për të krijuar një “perde tymi” dhe për të larguar vëmendjen nga pakënaqësia e qytetarëve.
Duke komentuar kërkesën e VLEN-it për dorëheqjen e Ali Ahmetit, Osmani paralajmëroi se çështja e Alta Bankës mund të jetë vetëm fillimi i zbulimeve të tjera që, sipas tij, mund të dalin në pah pas ndryshimeve politike në Serbi.
“Alta Banka do të dalë, është vetëm fillimi. Alta Banka kur të dalin të gjithë, dhe jo vetëm Alta Banka, se tash si ka rënë regjimi i Vuçiqit, do të dalin të gjitha të palarat këndej”, deklaroi Osmani.
Ai vlerësoi se si VLEN-i, ashtu edhe VMRO-DPMNE-ja janë të shqetësuara nga zhvillimet rreth kësaj çështjeje dhe se sulmet ndaj Ali Ahmetit synojnë të krijojnë defokus në opinionin publik.
Në të njëjtën paraqitje televizive, Osmani foli edhe për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke këmbëngulur se ai duhet të organizohet edhe në këtë gjuhë.
Sipas tij, statusi zyrtar i gjuhës shqipe në gjyqësor dhe në institucionet përkatëse është bazë e mjaftueshme për zbatimin e kësaj të drejte. Ai kundërshtoi hapjen e debatit për interpretimin e statusit të gjuhës shqipe, duke theksuar se mospërdorimi i saj në disa institucione nuk do të thotë se zbatimi është i pamundur.
Osmani rikujtoi se Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte miratuar në vitin 2019 dhe se gjatë periudhës 2019–2024, kur BDI ishte pjesë e Qeverisë, ishte punuar në zgjerimin e zbatimit të tij përmes ndërtimit të kapaciteteve institucionale, punësimit dhe trajnimit të kuadrove.
Deklaratat e Osmanit vijnë në një kohë kur çështja e Alta Bankës dhe debati për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe janë shndërruar në tema të përplasjes politike mes BDI-së dhe VLEN-it. Flaka
The post Osmani paralajmëron zbulime të reja: VLEN dhe VMRO-DPMNE janë në panik appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




