Pacientët me kancer kërkojnë zgjidhje për vonesat në furnizimin me terapi
Pacientët onkologjikë dhe përfaqësuesit e shoqatave të pacientëve u mblodhën sot sërish para Ministrisë së Shëndetësisë, duke shprehur shqetësimin e tyre për vonesat në furnizimin me terapi dhe duke kërkuar që trajtimi i tyre të sigurohet n...
Pacientët onkologjikë dhe përfaqësuesit e shoqatave të pacientëve u mblodhën sot sërish para Ministrisë së Shëndetësisë, duke shprehur shqetësimin e tyre për vonesat në furnizimin me terapi dhe duke kërkuar që trajtimi i tyre të sigurohet në mënyrë të rregullt dhe pa ndërprerje. Tubimi u zhvillua për shkak të problemeve të përsëritura me furnizimin me barna në Klinikën e Onkologjisë, ku pacientët kanë raportuar tashmë disa herë mungesa të terapive të caktuara, përfshirë “Fulvestrant”, “Zoladex” dhe disa citostatikë nga lista pozitive e Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Sipas pacinetëve, problemi me terapitë nuk është i ri dhe se ka vazhduar prej vitesh, ndërsa pacientët kërkojnë që të mos mbahen më në pasiguri.
“Ne kërkuam rritje të buxhetit dhe atë e morëm. Tenderi përfundoi në muajin maj, por gjatë gjithë verës kanë ekzistuar boshllëqe në furnizimet për Onkologjinë. Nëse problemi përsëritet, kërkojmë të dihet qartë se ku qëndron pengesa dhe kush është përgjegjës për vonesat. Krahas sigurimit të terapive, nevojiten edhe programe më të mira të parandalimit dhe skriningut, pasi rritja e numrit të pacientëve dhe çmimet gjithnjë më të larta të barnave kërkojnë planifikim afatgjatë dhe rritje të vazhdueshme të kapaciteteve”, tha Ana Marjanoviq nga shoqata “Hema Onko”.
Pas protestës, përfaqësuesit e Shoqatës “HEMA-ONKO”, e cila përfaqëson pacientët me kancer dhe kujdestarët e tyre, si dhe përfaqësuese të grupit “Fluturat”, zhvilluan një takim pune me zëvendësministrin e Shëndetësisë, Jovica Andovski. Në takim u diskutua për nevojat aktuale të pacientëve, përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe përfshirjen më të madhe të organizatave të pacientëve në hartimin e politikave dhe ligjeve që lidhen drejtpërdrejt me ta. Një nga temat kryesore ishte Ligji i ri për Barnat, ku përfaqësuesit e pacientëve paraqitën rekomandimet dhe propozimet e tyre. Nga Ministria e Shëndetësisë u bë e ditur se për barnat ku janë evidentuar vonesa janë ndërmarrë masa konkrete. Sipas ministrisë, një pjesë e furnizimeve tashmë është realizuar, për disa barna janë lidhur kontrata të reja, ndërsa për të tjerat po sigurohen zgjidhje të përkohshme deri në normalizimin e plotë të situatës. Nga Klinika e Onkologjisë më herët njoftuan se vonesat kanë prekur vetëm një pjesë të vogël të preparateve nga lista pozitive dhe se ato janë shkaktuar nga disa faktorë, përfshirë rritjen e konsumit, numrin më të madh të pacientëve, periudhën ndërmjet dy furnizimeve publike dhe mungesat e pjesshme tek distributorët. / Alsat.mk
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.