Pacientët paguanin për operacionet e syve që Fondi tashmë i kishte mbuluar – detaje të reja nga aksioni policor në një spital privat dhe në FSSH

Pagesa e dyfishtë për shërbimet shëndetësore, ku për të njëjtat operacione të syve një herë paguante Fondi i Sigurimit Shëndetësor, ndërsa herën e dytë pacientët, është ndër keqpërdorimet më të përhapura që po hetohen në kuadër të aksionit ...

tetor 29, 2026 - 14:01
Pacientët paguanin për operacionet e syve që Fondi tashmë i kishte mbuluar – detaje të reja nga aksioni policor në një spital privat dhe në FSSH

Pagesa e dyfishtë për shërbimet shëndetësore, ku për të njëjtat operacione të syve një herë paguante Fondi i Sigurimit Shëndetësor, ndërsa herën e dytë pacientët, është ndër keqpërdorimet më të përhapura që po hetohen në kuadër të aksionit të sotëm kundër krimit financiar në sektorin e shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, njoftoi se hetimi përfshin disa lloje shkeljesh dhe se iniciativa për nisjen e tij kishte ardhur pikërisht nga ai, për shkak të shkeljeve të përsëritura nga një institucion shëndetësor, për të cilat, sipas tij, nuk ishin shqiptuar sanksione të përshtatshme.

Klekovski theksoi se kishte propozuar ndërprerjen e kontratës me institucionin, me qëllim që të ndërpritej, siç u shpreh ai, “zinxhiri i pandëshkueshmërisë”.

Në hetim janë përfshirë edhe Sektori i Kontrollit pranë Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, si dhe Agjencia e Barnave.

“Nuk bëhet fjalë për një, dy apo tri raste, por për përsëritje të vazhdueshme të shkeljeve të ngjashme, për të cilat institucioni nuk është ndëshkuar në mënyrë adekuate”, deklaroi Klekovski, duke falënderuar pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme për realizimin e aksionit.

Hetimi përfshin tre punonjës të Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe dy persona nga një klinikë private.

Sipas informacioneve jozyrtare, dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit nga veprimtaria e institucionit privat shëndetësor tejkalon 1,5 milionë euro, ndërsa përfitimi i dyshuar i kundërligjshëm i klinikës vlerësohet në rreth katër milionë euro. Sipas të njëjtave burime, janë dëmtuar edhe shumë pacientë.

Në mesin e personave të përfshirë në kallëzimet penale përmendet edhe Den Donçev, ish-drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se zyrtarët policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, në koordinim me prokurorin kompetent të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, po kryejnë kontrolle në disa lokacione në vend.

Hetimi lidhet me dyshime për keqpërdorime financiare në një pjesë të sektorit shëndetësor, ndërsa MPB-ja paralajmëron informacione shtesë pas përfundimit të aksionit.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.