Pacolli ua shkëput kontratat e punës nëntë zyrtarëve: Munguan vazhdimisht në punë
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, bën të ditur se janë shkëputur kontratat e punës për nëntë zyrtarë nga institucionet vartëse të ministrisë, për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendin e punës. ...


Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, bën të ditur se janë shkëputur kontratat e punës për nëntë zyrtarë nga institucionet vartëse të ministrisë, për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendin e punës.
Sipas Pacollit, vendimet përfshijnë shtatë zyrtarë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) nga komuniteti serb, të cilët, sipas saj, njihen edhe si pjesëtarë të ish-“Mbrojtjes Civile”.
Ajo ka bërë të ditur se vendimet janë marrë bazuar në mungesën e vazhdueshme në punë dhe në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Me këto vendime, numri i përgjithshëm i kontratave të punës të shkëputura në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe institucioneve vartëse ka arritur në 29.
Sipas Pacollit, më herët janë shkëputur kontratat e punës për 20 zyrtarë të ministrisë, ndërsa tani edhe për nëntë zyrtarë të AMMK-së dhe AKK-së.
“Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse zyrtari publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka shkruar Pacolli.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
