Pal Lekaj: Kjo Qeveri është anti-UÇK, ku është mobilizimi institucional?

Ish-deputeti i Aleancës, Pal Lekaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për, siç thotë ai, mungesën e veprimeve konkrete institucionale një javë pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Lekaj ka thënë se, përtej deklaratave politike,...

shtator 22, 2026 - 18:30
Pal Lekaj: Kjo Qeveri është anti-UÇK, ku është mobilizimi institucional?
Pal Lekaj godet PSHDK’në për koalicionin me Kurtin: Kapitulluan, kjo do të vërtetohet më 28 dhjetor

Pal Lekaj godet PSHDK’në për koalicionin me Kurtin: Kapitulluan, kjo do të vërtetohet më 28 dhjetor

Ish-deputeti i Aleancës, Pal Lekaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për, siç thotë ai, mungesën e veprimeve konkrete institucionale një javë pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Lekaj ka thënë se, përtej deklaratave politike, institucionet e Kosovës do të duhej të ishin mobilizuar në aspektin politik, juridik dhe diplomatik.

“Ka kaluar tashmë një javë nga aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së. Një javë. Shtatë ditë. Dhe çfarë kemi parë nga Qeveria e Kosovës përtej deklaratave politike? Ku janë veprimet konkrete institucionale?”, ka shkruar Lekaj.

Ai ka renditur disa veprime që, sipas tij, institucionet e Kosovës do të duhej t’i ndërmerrnin pas aktgjykimit.

Ndër to, Lekaj ka përmendur një debat urgjent në Kuvend dhe miratimin e një rezolute për aktgjykimin dhe mbështetjen institucionale për ish-krerët e UÇK-së.

Po ashtu, ai ka kërkuar shqyrtimin e mundësive kushtetuese dhe ligjore lidhur me kuadrin juridik të Dhomave të Specializuara, si dhe krijimin e një mekanizmi institucional për koordinimin e mbështetjes juridike dhe institucionale për të dënuarit dhe familjet e tyre.

Lekaj ka kërkuar edhe që Ministria e Drejtësisë të paraqesë një qëndrim të qartë institucional dhe një plan për mbështetjen që mund të ofrohet sipas ligjit.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse për buxhetin duhet të garantojnë që mbështetja juridike e lejuar me ligj të mos pengohet për shkak të mungesës së mjeteve, ndërsa diplomacia kosovare duhet të shfrytëzojë hapësirat diplomatike për të paraqitur qëndrimin institucional të Kosovës.

“Por ku janë këto veprime? Ku është Qeveria? Ku është mobilizimi institucional? Ku është diplomacia?”, ka shkruar Lekaj.

Ai ka kritikuar Qeverinë se, sipas tij, në një moment të rëndësishëm për ish-krerët e UÇK-së, ka ofruar kryesisht deklarata dhe jo veprime konkrete.

“Shteti i Kosovës nuk mund të sillet si spektator kur njerëzit që udhëhoqën luftën për lirinë e Kosovës përballen me një prej proceseve më të rëndësishme të jetës së tyre”, ka thënë Lekaj.

Në fund, ish-deputeti i AAK-së e ka cilësuar këtë, sipas tij, si më shumë se neglizhencë politike.

“Për ne, kjo nuk është më vetëm neglizhencë politike. Është një qasje anti-UÇK!”, ka përfunduar ai.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.