Pas ftesës së Kurtit, Hamza: Nuk janë ata që përcaktojnë nënkryetarin e PDK-së

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i është përgjigjur ftesës së kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, pas pengesës së re që doli sot për konstitu...

shtator 9, 2026 - 22:30
Pas ftesës së Kurtit, Hamza: Nuk janë ata që përcaktojnë nënkryetarin e PDK-së

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i është përgjigjur ftesës së kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, pas pengesës së re që doli sot për konstituimin e Kuvendit.

Kurti ka bërë të ditur të mërkurën se i ka shkruar Hamzës dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për t’u takuar dhe për të arritur një dakordim për përzgjedhjen e nënkryetarëve.

Hamza, i pyetur nëse PDK-ja duhet të shkojë në takim me Kurtin, ka thënë se çështja, sipas tij, nuk lidhet me emrat e kandidatëve, por me respektimin e rregullave për zgjedhjen e nënkryetarëve.

“E din ai qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, ia kam bërë shumë të qartë. Është më se e qartë, edhe rregullorja është shumë e qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se kujt i takojnë nënkryetarët. Janë poste që u takojnë subjekteve të caktuara politike sipas radhës”, ka deklaruar Hamza në Debat Plus.

Ai ka mohuar se mosmarrëveshja lidhet me emrat e kandidatëve të PDK-së.

“Absolut jo, dhe nuk janë ata që e përcaktojnë se kush ka me qenë nënkryetar nga radhët e PDK-së”, ka thënë Hamza.

Sipas tij, diskutimi për emrat është një mënyrë për të vazhduar, siç e quajti ai, “vakumin institucional”.

“Nuk janë pyetje emrat e njerëzve. Kjo është një gjetje e re e tyre, për me vazhdu këtë vakum institucional, me dëmtu shtetin e Kosovës, me i dëmtu qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Hamza.

PDK-ja ka propozuar Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit, ndërsa LDK-ja ka propozuar Kujtim Shalën. Seanca konstituive është shtyrë për të premten, pasi nuk pati dakordim për zgjedhjen e nënkryetarëve.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.