Pas pamjeve me Rexhepin, Nagavci: Mos e përdorni UÇK-në për të arsyetuar dhunën ndaj deputetëve
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas incidentit me deputetin Fahrush Rexhepi, i cili u pengua nga protestuesit të largohej nga hapësirat e Kuvendit. Sipas pamjeve të publikuara ku disa protestues e k...


Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas incidentit me deputetin Fahrush Rexhepi, i cili u pengua nga protestuesit të largohej nga hapësirat e Kuvendit.
Sipas pamjeve të publikuara ku disa protestues e kanë kapur Rexhepin dhe e kanë ngritur për ta kthyer sërish brenda rrethojave të Kuvendit, duke mos e lejuar të vazhdojë largimin.
Nagavci e ka dënuar këtë veprim, duke thënë se protesta dhe kritika janë të drejta, por jo përdorimi i forcës ndaj një deputeti.
“E papranueshme dhe e turpshme sjellja e sotme ndaj deputetit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Prof. Dr. Fahrush Rexhepi.
Pamjet ku protestuesit e kapin për duarsh dhe e shtyjnë me forcë një deputet të Republikës së Kosovës nuk kanë asgjë të përbashkët me të drejtën demokratike për protestë. Protesta është e drejtë, kritika është e drejtë, kërkesa për llogaridhënie është e drejtë, por askush nuk ka të drejtë të përdorë forcën fizike ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të qytetarëve”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka përmendur edhe familjen e Rexhepit, duke theksuar se vëllai i tij, Njazi Rexhepi, ishte pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe ra në Betejën e Koshares, ndërsa vëllai tjetër, Jonuz Rexhepi, është veteran i luftës dhe pjesëtar i UÇK-së.
“Askush nuk fiton të drejtën të ushtrojë dhunë duke u thirrur në emër të UÇK-së, aq më pak ndaj një njeriu, familja e të cilit ka paguar me gjak çmimin e lirisë së Kosovës.
Liria për të cilën ranë dëshmorët nuk u fitua që sot, në emër të saj, të kapen me forcë deputetët e Republikës.
Kjo nuk është mbrojtje e vlerave të luftës.
Kjo është cenim i tyre”, ka shkruar Nagavci.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.