Pas rastit të Arlindës, 47 gra kërkuan ndihmë nga Policia brenda një jave
25 tetori i këtij viti, dita kur Arlinda Zekajt iu mor jeta duke u goditur me sëpatë nga kunati i saj, lëkundi themelet e institucioneve të rendit e drejtësisë. Kjo pasi që 49-vjeçarja kishte lënë pas vetes të dokumentuar çdo neglizhencë nd...


25 tetori i këtij viti, dita kur Arlinda Zekajt iu mor jeta duke u goditur me sëpatë nga kunati i saj, lëkundi themelet e institucioneve të rendit e drejtësisë.
Kjo pasi që 49-vjeçarja kishte lënë pas vetes të dokumentuar çdo neglizhencë ndaj saj.
Mirëpo çka pas saj?
Kiks Kosova ka grumbulluar raportet ditore të Kosovës fillimisht që nga data 26 tetor, një ditë pas vrasjes së Arlindës, e deri më 2 nëntor kur edhe u përgatit kronika.
Për gjashtë ditë, sipas raporteve të Policisë së Kosovës, në atë institucion u drejtuan rreth 47 gra.
Raportimet, mënyrat e dhunës dhe situatat ishin nga më të ndryshmet.
Në këto rastet e listuara për më pak se një javë, listës i prinin ish-bashkëshortët burra që qoftë përmes dhunës fizike apo psiqike, assesi të lënë rehat ish-gratë e tyre.
Madje në një rast në Viti, vëllau e ndihmoi dhëndrin që t’ia rrah motrën.
Sipas raportit, në pasditen e 29 tetorit, një burrë prishtinas largoi me forcë nga shtëpia gruan e tij bashkë me foshnjën.
Në krejt këto raste të dhunës, nuk mungoi as kërcënimi ndaj të dashurës me video incizime.
Dhuna e burrave në disa raste, qe edhe kundrejt nënës, motrës e vajzës.
Pas raporteve ditore, nga Policia e Kosovës emisioni ka siguruar raportin 9 mujorësh të raportimeve të dhunës në familje.
Sipas këtyre statistikave, nga janari deri më shtator 2026, janë raportuar 1626 raste ku viktimat janë gra.
Në këtë numër katërshifror, sipas statistikave, 154 raste të vajzave që raportuan dhunën janë të moshës 0 deri në 18 pra minorene.
Rrugën për në polici që të raportonin partnerin për më shumë se një herë, e morën qindra gra.
Pra sipas statistikave, në 1626 raste, prej tyre të përsëritura janë 176.
Ndërsa sa i përket vendit, për raportim të dhunës në familje nga gratë, kryeson kryeqyteti me 550 viktima ndërsa pas tij vjen Peja me 215 dhe më tutje qytetet e tjera.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.