PDK nuk shkon në seancën e së dielës, paralajmëron ankesë në Kushtetuese

Kriza rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës po thellohet pas përplasjes së re mes partive parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve. PDK-ja ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive, të caktuar për t...

shtator 11, 2026 - 22:00
PDK nuk shkon në seancën e së dielës, paralajmëron ankesë në Kushtetuese

Kriza rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës po thellohet pas përplasjes së re mes partive parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve.

PDK-ja ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive, të caktuar për të dielën në orën 10:00, ndërsa paralajmëron se situatën e krijuar do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi i PDK-së vjen pas zhvillimeve të së premtes, kur seanca u ndërpre dy herë për shkak të mospajtimeve lidhur me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi për mospjesëmarrje është marrë pas situatës së krijuar në Kuvend, duke akuzuar Vetëvendosjen se nuk e ka respektuar marrëveshjen për votimin e nënkryetarëve.

Sipas saj, PDK-ja është duke përgatitur edhe kërkesën për Gjykatën Kushtetuese.

“Tani ne kemi pasur një takim ku e kemi diskutuar këtë çështje dhe do të dorëzohet në afatin më të shkurtër kohor, pra sa më shpejt që ne mund ta përgatisim si lëndë për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Përplasja nisi pas votimit të nënkryetarit nga radhët e Vetëvendosjes, Ardian Gola. Kur erdhi në rend propozimi i PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku, deputetët e Vetëvendosjes abstenuan, duke bërë që ajo të mos marrë votat e nevojshme.

Pas kësaj, deputetët e PDK-së e lëshuan sallën, duke shkaktuar ndërprerjen e parë të seancës. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk do të marrë pjesë më në seancat e Kuvendit dhe paralajmëroi dërgimin e rastit në Kushtetuese.

Seanca u caktua të vazhdonte në orën 14:00, por nisi rreth një orë me vonesë. Në këtë fazë, edhe LDK-ja nuk pranoi të procedojë me kandidatin e saj për nënkryetar, duke kundërshtuar mënyrën se si u zhvillua procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve.

Mosmarrëveshja lidhej edhe me rendin e zgjedhjes së nënkryetarëve, pasi opozita pretendoi se kandidati i PDK-së duhej të trajtohej para atij të LDK-së.

Në mungesë të një zgjidhjeje, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ndërpreu sërish seancën dhe e shtyu atë për të dielën.

Ndërkohë, PDK-ja ka bërë të ditur se vendimi për të mos marrë pjesë në takime me kryetarin e Vetëvendosjes mbetet në fuqi, duke e bërë edhe më të vështirë gjetjen e një kompromisi politik për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.