PDK sërish para Qeverisë, mesazh Kurtit: Mos e mbaj peng shtetin

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur sërish sot para objektit të Qeverisë, në vazhdën e aksionit të nisur ditëve të fundit për të penguar hyrjen e Albin Kurtit dhe ministrave në ndërtesën e Qeverisë. Deputetët e...

gusht 18, 2026 - 10:00
PDK sërish para Qeverisë, mesazh Kurtit: Mos e mbaj peng shtetin

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur sërish sot para objektit të Qeverisë, në vazhdën e aksionit të nisur ditëve të fundit për të penguar hyrjen e Albin Kurtit dhe ministrave në ndërtesën e Qeverisë.

Deputetët e PDK-së po qëndrojnë sërish para hyrjes së objektit të qeverisë. Atyre i është bashkuar edhe Rinia Demokratike të Kosovës.

“Edhe sot, bashkë me Rininë Demokratike të Kosovës, jemi para Qeverisë: Albin, eja në Kuvend dhe hape rrugën për rikthimin e rendit kushtetues. Mos e mbaj peng shtetin, institucionet dhe interesin e qytetarëve për kalkulimet e tua individuale dhe partiake!”, njofton PDK

Kujtojmë se një ditë më parë, deputetja Eliza Hoxha tha se qëllimi i tyre është që Kurti të mos hyjë në Qeveri, të cilën ajo e akuzoi se e ka “marrë peng”.

“Kurti duhet ta kuptojë që, në vend se ta sabotojë Kuvendin, ai duhet të vijë aty dhe të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin. Ajo është puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit, ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve”, tha Hoxha.

Ajo akuzoi Kurtin dhe ministrat e tij se kanë “uzurpuar pozitat dhe institucionet”.

PDK-ja ka kërkuar ndërkohë nga kryesuesi i seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës sot më 18 gusht, në orën 11:00.

PDK ka kërkuar që Dehari të veprojë në kuadër të rolit të tij procedural dhe të mundësojë vazhdimin e seancës dhe konstituimin e Kuvendit.

“Z. Dehari, thirreni seancën. Deputetët janë zgjedhur për të qenë në Kuvend, jo për të pritur vullnetin politik të askujt. Nesër, në orën 11:00, PDK do të jetë në sallë”, thuhet në kërkesën e PDK-së.

Partia më e madhe opozitare edhe ditën e djeshme ishte mbledhur para objektit të Qeverisë, me të njëjtin qëllim për të penguar hyrjen e Kurtit në ndërtesë.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.