Penko: Komuna e Butelit nuk tregon sa nxënës nga Çairi janë pranuar, thotë se nuk është shkelur ligji
Komuna e Butelit nuk jep përgjigje se sa fëmijë nga Çairi do të vazhdojnë mësimin në shkollën “Petar Zdravkovski Penko”, edhe pse tashmë është bërë e ditur se do të pranohen nxënësit që kanë vëlla ose motër të regjistruar në këtë shkollë. A...
Komuna e Butelit nuk jep përgjigje se sa fëmijë nga Çairi do të vazhdojnë mësimin në shkollën “Petar Zdravkovski Penko”, edhe pse tashmë është bërë e ditur se do të pranohen nxënësit që kanë vëlla ose motër të regjistruar në këtë shkollë.
Alsati e pyeti Komunën konkretisht për numrin e këtyre nxënësve, por nga Buteli nuk tregojnë se sa janë. Ndërsa për lëndën e hapur nga Avokati i Popullit, Komuna e Butelit thotë se nuk është shkelur ligji dhe nuk është cenuar e drejta e asnjë nxënësi.
Lënda u hap me vetiniciativë nga Avokati i Popullit pas raportimeve të Alsatit për mbylljen e paraleles së pestë në gjuhën shqipe në shkollën “Petar Zdravkovski Penko”. Avokati i Popullit ka kërkuar që Inspektorati Shtetëror i Arsimit të kryejë inspektim në lidhje me rastin. Gjithashtu, Avokati I Popullit ka kërkuar dokumentacion nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Komuna e Butelit, me qëllim që të verifikohet nëse me vendimin për mbylljen e paraleles dhe regjistrimin e nxënësve është cenuar ndonjë e drejtë e tyre. Nga zyra e Avokatit të Popullit kanë bërë të ditur se presin përgjigjet e institucioneve dhe më pas do të vlerësojnë nëse ka pasur shkelje të të drejtave të nxënësve.
Siç ka raportuar tashmë disa herë Alsat, Komuna e Butelit vendosi që ta mbyll paralelen e pestë për klasën e parë, pavarësisht interesit të lartë për t’u regjistruar, ndërsa në po të njëjtën shkollë mbahen paralele në gjuhën maqedonase me numër shumë të ulët të nxënësve.
Arsyeja e mbylljes sipas autoriteteve komunale është se nuk do të lejojnë më të regjistrohen nxënës që i përkasin Komunës së Çairit edhe pse jetojnë vetëm disa metra larg objektit të shkollës. Pas alarmimit të situatës, zëvendësministri i Arsimit Driton Sulejmani ka njoftuar se është arritur marrëveshje, që të pranohen nxënësit e Çair, por vetëm ata që kanë vëlla ose motër të regjistruar paraprakisht. Në fakt, me këtë nuk është zgjidhur çështja, pasi mbeten jashtë shumë nxënës të tjerë të cilët jetojnë pranë shkollës por s’kanë as vëlla e as motër aty.
Ndërkohë që problemi nuk ka marrë epilog të kënaqshëm, opozita kërkon rishqyrtim të vendimit nga ana e Këshillit të Komunës së Butelit. Sipas tyre, ekziston mundësia ligjore për të lejuar regjistrimin e nxënësve të Çairit në Butel, pasi këtë e parashikon neni 7 i vendimit për rajonizimin e shkollave. Megjithatë, Buteli nën udhëheqjen e Darko Kostovskit insiston të mos e ndryshojë vendimin. / Alsat.mk
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.