“Për katër vjet asnjë përparim” – Jotova ashpër për rrugën e RMV-së drejt BE-së
Integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut mbetet i bllokuar, ndërsa çështja e Shkupit është rikthyer në qendër të diskutimeve në Sofje. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Bullgarisë, Ilijana Jotova, gjatë takimit me kryeministrin sll...
Integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut mbetet i bllokuar, ndërsa çështja e Shkupit është rikthyer në qendër të diskutimeve në Sofje.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Bullgarisë, Ilijana Jotova, gjatë takimit me kryeministrin sllovak Robert Fico, ka folur edhe për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Sipas agjencisë bullgare BTA, dy zyrtarët kanë diskutuar për zgjerimin e BE-së dhe kanë theksuar se procesi duhet të zhvillohet mbi bazën e rregullave dhe përmbushjes së kritereve nga vendet kandidate.
Në këtë kontekst, Jotova ka kërkuar mbështetjen e Sllovakisë për qëndrimin bullgar ndaj Shkupit.
“E dini se kemi disa probleme me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe anëtarësimin e saj në BE”, ka deklaruar Jotova, duke shtuar se Sofja kërkon që vendi të ndjekë “politikën evropiane të anëtarësimit”.
Ajo ka pretenduar gjithashtu se për katër vjet nuk është shënuar përparim në zbatimin e detyrimeve që Maqedonia e Veriut i ka marrë në vitin 2022.
Kjo deklaratë rikthen në vëmendje një prej nyjeve kryesore të procesit evropian të Shkupit. Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim që nga viti 2005, ndërsa rruga drejt BE-së është përballur ndër vite me bllokada të ndryshme.
Fillimisht, pengesë ishte kontesti me Greqinë, ndërsa pas zgjidhjes së tij dhe ndryshimit të emrit të shtetit, procesi u përball me veton bullgare.
Në vitin 2022 u pranua i ashtuquajturi “propozim francez”, pas së cilit nisi procesi i skriningut. Megjithatë, hapja e klasterit të parë negociues është e lidhur me ndryshimet kushtetuese të kërkuara në kuadër të marrëveshjes së vitit 2022.
Deklarata e Jotovës tregon se, edhe pas disa vitesh, raporti Shkup–Sofje vazhdon të jetë një prej faktorëve që ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Në vend që rruga drejt BE-së të përcaktohet vetëm nga reformat e brendshme, debati vazhdon të mbartë edhe çështje bilaterale dhe politike që e kanë shoqëruar procesin prej vitesh. Gazeta Flaka
The post “Për katër vjet asnjë përparim” – Jotova ashpër për rrugën e RMV-së drejt BE-së appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.