Për një dekadë në RMV janë “zhdukur” gati 9 mijë filloristë
Rënia e natalitetit dhe emigrimi i të rinjve nga vendi janë çdo vit shkak për numrin gjithnjë e më të vogël të nxënësve të klasës së parë që regjistrohen në shkollat e Maqedonisë. Viti i ri shkollor është afër, ndërsa deri tani, në klasë të...
Rënia e natalitetit dhe emigrimi i të rinjve nga vendi janë çdo vit shkak për numrin gjithnjë e më të vogël të nxënësve të klasës së parë që regjistrohen në shkollat e Maqedonisë. Viti i ri shkollor është afër, ndërsa deri tani, në klasë të parë në nivel shtetëror janë regjistruar rreth 14.500 nxënës. Një dekadë më parë, kjo shifër ishte 23.266, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Çdo vit shkollor, në shkolla regjistrohen gjithnjë e më pak nxënës të klasës së parë, ndërsa i madh është edhe numri i fëmijëve që nuk e përfundojnë vitin shkollor, sepse gjatë vitit, së bashku me familjet e tyre, emigrojnë në një shtet tjetër.
Në vitin 2016, në vend kishte 23.266 nxënës të klasës së parë, ndërsa vitin pasues numri u ul në 21.656. Një vit më vonë, në shkollë u regjistruan 22.130 fëmijë të rinj, ndërsa në vitin 2019 numri ishte 20.656. Në vitin 2020, në shkollë filluan të shkojnë 21.053 nxënës të klasës së parë, ndërsa vitin pasues kishte 21.158. Numri ulet nga viti në vit, kështu që vitin e kaluar në shkollë filluan të shkojnë 17.921 nxënës, ndërsa këtë vit kjo shifër është rreth 14.500. Megjithatë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) theksuan se ky nuk është numri përfundimtar, pasi deri në fund të shtatorit vazhdon regjistrimi i nxënësve të klasës së parë që kanë vonuar afatin e regjistrimit.
MASH: Këtë vit mbyllen 26 shkolla periferike
Sot, në një konferencë për shtyp, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se këtë vit pritet të mbyllen 26 shkolla rurale, në të cilat nuk do të ketë regjistrim të nxënësve të klasës së parë dhe ku, siç tha ajo, “gjoja mësojnë” nga pesë deri në tetë fëmijë.
“Për momentin kemi rreth 200 paralele më pak në arsimin fillor dhe 100 paralele më pak në arsimin e mesëm. Theksoj se kjo bëhet me qëllim që nxënësve t’u mundësohet socializim, cilësi më e mirë e arsimit, dhe jo ekzistencë e izoluar në një mjedis të caktuar rural, ku mbizotërojnë parime të caktuara, madje edhe stereotipe të caktuara, dhe ku cilësia e arsimit nuk mund të jetë e përshtatshme për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Sidomos kur bëhet fjalë për paralele të kombinuara, ku mësojnë nxënës nga tri klasë të ndryshme, aq sa lejohet me ligj”, tha Janevska.
Ajo sqaroi se mësimi në paralele të kombinuara do të ketë vetëm aty ku do të jetë e domosdoshme, përkatësisht nëse shkolla periferike ndodhet më shumë se 15–20 kilometra larg shkollës qendrore më të afërt.
“Nëse kemi një shkollë qendrore me 200 fëmijë, ndërsa 2,5 kilometra më larg kemi një shkollë me 18 fëmijë, nuk ka logjikë t’i mbajmë këta 18 fëmijë të izoluar në atë shkollë. Duhet t’i transferojmë në tjetrën”, theksoi Janevska.
Emigrimi është problemi kryesor
Shkak për trendin e rënies së numrit të nxënësve janë nataliteti i ulët dhe emigrimi. Siç shpjegon për Meta.mk demografi dhe ish-drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave, Donço Gerasimovski, nga vendi largohen kryesisht çifte të reja të martuara që kanë fëmijë, ose çifte, fëmijët e të cilëve lindin jashtë vendit.
Nëse analizohen shifrat, vlen të përmendet edhe diferenca prej rreth 1.000 nxënësish në fillim të vitit shkollor krahasuar me fundin e vitit shkollor. Kjo do të thotë se gjatë vitit shkollor ata e kanë braktisur shkollën dhe kanë emigruar, thotë Gerasimovski.
Ai ka deklaruar disa herë deri tani se është e nevojshme të hartohet një strategji për zhvillimin e politikës së popullsisë, si dhe një strategji për arsimin, si zgjidhje për këtë gjendje.
“E analizoj edhe situatën në shtetet e tjera. Lëvizjet demografike botërore janë të pranishme kudo. Njerëzit emigrojnë gjithandej, edhe në Bullgari, Serbi e Shqipëri. Megjithatë, shteti duhet të merret më seriozisht me këtë problematikë”, apelon Gerasimovski.
Përndryshe, tre mijë nxënës më pak do të ulen këtë vit shkollor në bankat e shkollave në Maqedoninë e Veriut, krahasuar me vitin e kaluar, ndërkaq është paralajmëruar edhe mbyllja e 26 shkollave fillore, kryesisht shkolla periferike në vendbanime rurale.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.