Për nxënësit shqiptarë në Butel mbyllet klasa, për ata të “Aerodromit” – tablet falas
Në kohën kur në Butel është hapur debat i madh për mbylljen e një paraleleje me mësim në gjuhën shqipe në shkollën “Penkо”, në komunën fqinje të Shkupit, Aerodrom, nxënësit e klasës së katërt marrin pajisje teknologjike falas. Komuna e Aero...
Në kohën kur në Butel është hapur debat i madh për mbylljen e një paraleleje me mësim në gjuhën shqipe në shkollën “Penkо”, në komunën fqinje të Shkupit, Aerodrom, nxënësit e klasës së katërt marrin pajisje teknologjike falas.
Komuna e Aerodromit këtë vit ka siguruar 830 tableta për nxënësit e klasës së katërt, në kuadër të një projekti që pushteti lokal e realizon për të pestin vit radhazi me mjete nga buxheti komunal. Pajisjet u janë shpërndarë nxënësve të të gjitha shkollave fillore në territorin e kësaj komune.
Tabletat u ndanë sot në SHF “Ljuben Lape”, ku morën pjesë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, dhe kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski.
Janevska tha se shpreson që një praktikë e tillë të zbatohet edhe në komuna të tjera, pasi, sipas saj, masa të tilla krijojnë mundësi më të barabarta për çdo fëmijë.
“Është e rëndësishme që fëmijët të jenë të lidhur me botën e internetit dhe bazat e të dhënave, të mund të përdorin tekste dhe përmbajtje digjitale dhe në këtë mënyrë të pasurojnë njohuritë e tyre”, deklaroi Janevska.
Ajo theksoi se kjo nismë është veçanërisht e rëndësishme për familjet me të ardhura më të ulëta.
Sipas Ministrisë së Arsimit, gjatë dy viteve të fundit Qeveria ka siguruar pajisje kompjuterike, tabela të reja interaktive dhe infrastrukturë të rrjetit për internet të sigurt pa tela në më shumë se 160 shkolla. Gjithashtu është vënë në funksion ditari i ri elektronik dhe janë digjitalizuar procedurat për realizimin e të drejtave arsimore.
Nga ana tjetër, Komuna e Aerodromit njoftoi se, përveç 830 tabletave, këtë vit ka siguruar edhe 7.500 uniforma shkollore falas për të gjithë nxënësit, ndërsa në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit janë siguruar edhe tekste shkollore falas.
Kryetari i Aerodromit, Dejan Miteski, tha se paralelisht me këto masa, shkollat në territorin e komunës vazhdimisht pajisen me teknologji dhe pajisje moderne, me qëllim përmirësimin e kushteve për zhvillimin e mësimit dhe përvetësimin e njohurive e aftësive të nevojshme për shoqërinë moderne.
Dhe pikërisht këtu qëndron kontrasti që ngre pyetje.
Në njërën anë të Shkupit, nxënësve u sigurohen tableta, uniforma dhe pajisje moderne për shkollim. Në anën tjetër, në Butel diskutohet mbyllja e një klase me mësim në gjuhën shqipe.
Njëra palë flet për krijimin e “mundësive të barabarta për çdo fëmijë”, ndërsa pala tjetër përballet me pyetjen nëse një grup nxënësish shqiptarë do të mund të vazhdojë të mësojë në gjuhën e vet.
Prandaj pyetja është e pashmangshme:
A janë vërtet të barabarta mundësitë për çdo fëmijë në Shkup?
Sepse për një fëmijë nuk mjafton vetëm një tablet. Nuk mjafton as një shkollë e rinovuar, uniformë apo tekst falas.
Barazia në arsim fillon edhe nga e drejta për të mësuar në gjuhën amtare.
Dhe pikërisht kjo është çështja që vazhdon të mbetet e hapur në Butel.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.