Përplasjet mes të rinjve në Tetovë, Toshkovski: Do të veprojmë edhe në mënyrë preventive
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj të gjithë personave që shkaktojnë dhunë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për pjesëtarë të tifo-grupeve apo individë të tjerë. Gjatë vizitës së sotme në S...
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj të gjithë personave që shkaktojnë dhunë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për pjesëtarë të tifo-grupeve apo individë të tjerë.
Gjatë vizitës së sotme në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë, Toshkovski tha se institucionet duhet të veprojnë edhe në mënyrë parandaluese, me qëllim shmangien e përplasjeve të mëtejshme mes grupeve të tifozëve.
“Në të ardhmen do të veprojmë edhe në mënyrë preventive, jo vetëm represive. Mendoj se edhe institucionet tjera duhet ta japin përgjigjen e tyre. Prokuroria duhet të marrë guximin të futet në procese, ndërsa gjykata më pas, me dënime të duhura, duhet t’i bëjë dhunuesit, nga cila do anë të vijnë, ta vënë gishtin në kokë”, deklaroi Toshkovski.
Ministri shtoi se duhet të tregohet kujdes i veçantë kur në incidentet e dhunshme përfshihen adoleshentë.
“Duhet me maturi të veprojmë kur janë në pyetje adoleshentët. Ju premtoj që do të flas për këtë temë edhe me ministrin e Politikës Sociale dhe në kuadër të Qeverisë, që të marrim masa”, tha Toshkovski.
Në rrjetet sociale ditëve të fundit janë publikuar video ku shihen përplasje mes grupeve të të rinjve në rrugët e Tetovës. Në postimet në rrjetet sociale pretendohet se bëhet fjalë për pjesëtarë të tifo-grupeve “Vojvodët” dhe “Ballistët”.
Megjithatë, përkundër publikimit të videove, deri më tani nuk është bërë e ditur zyrtarisht për ndonjë kallëzim të dorëzuar në policinë e Tetovës lidhur me këto incidente.
Sipas raportimeve të Alsat, policia po punon për identifikimin e personave që dyshohet se janë përfshirë në përleshje, por deri në publikimin e këtyre informacioneve nuk janë dhënë detaje zyrtare për rastin.
Në ditët e fundit janë publikuar edhe versione të ndryshme për atë se si kanë nisur incidentet. Në disa raportime është pretenduar se pjesëtarë të grupit “Vojvodët” kanë sulmuar të rinj shqiptarë në Tetovë, ndërsa disa media maqedonase kanë raportuar për një pretendim të kundërt, se një grup të rinjsh shqiptarë ka sulmuar adoleshentë maqedonas. Këto versione janë kundërshtuar nga dëshmitarë të rastit dhe deri në këtë fazë nuk ka një konstatim zyrtar që përcakton përgjegjësinë përfundimtare për incidentet.
Ndërkohë, gjatë ditës, një automjet në pronësi të një shqiptari është dëmtuar me mbishkrimin “Serbija”, incident që ka nxitur reagime në rrjetet sociale. Edhe për këtë rast, mbetet e nevojshme të priten të dhënat dhe konstatimet zyrtare të institucioneve.
Përballë këtyre zhvillimeve, deklarata e Toshkovskit sinjalizon se MPB-ja synon të mos kufizohet vetëm në reagimin pas incidenteve, por të ndërhyjë edhe në mënyrë parandaluese, veçanërisht kur bëhet fjalë për të rinj dhe rrezikun e përshkallëzimit të përplasjeve ndërmjet grupeve. Edhe në të kaluarën ka pasur deklarata të tilla, por se kanë ngelur vetëm teorike. Gazeta Flaka
The post Përplasjet mes të rinjve në Tetovë, Toshkovski: Do të veprojmë edhe në mënyrë preventive appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.