“Personat që më kanë sulmuar i kam identifikuar, janë edhe dezertorë të luftës” — Deputeti i VV-së, Fahrush Rexhepi paralajmëron padi pas sulmit para Kuvendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, i cili është gjithashtu vëllai i dëshmorit të UÇK-së, Nijazi Rexhepi, ka reaguar ashpër pas sulmit fizik dhe verbal me të cilin u përball nga disa protestues pas përfundimit të seancës së K...

tetor 6, 2026 - 01:30
“Personat që më kanë sulmuar i kam identifikuar, janë edhe dezertorë të luftës” — Deputeti i VV-së, Fahrush Rexhepi paralajmëron padi pas sulmit para Kuvendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, i cili është gjithashtu vëllai i dëshmorit të UÇK-së, Nijazi Rexhepi, ka reaguar ashpër pas sulmit fizik dhe verbal me të cilin u përball nga disa protestues pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Në një reagim zyrtar, Rexhepi ka bërë të ditur se tashmë i ka identifikuar personat që e kanë sulmuar, mes të cilëve ka edhe dezertorë të luftës, si dhe urdhërdhënësin e këtij akti.

Ai ka paralajmëruar se rastin do ta procedojë zyrtarisht në organet e rendit dhe të drejtësisë.
Rrethanat e incidentit bëhen edhe më të rënda marrë parasysh se deputeti Rexhepi, i cili është në moshtë të shtyrë, kalonte së fundmi nga një ndërhyrje kirurgjikale.

Reagimi i plotë i deputetit Fahrush Rexhepi:

“Sot, pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, u përballa me një akt të turpshëm dhe të papranueshëm nga disa prej protestuesve të mbledhur para Kuvendit.
Nuk po shkruaj vetëm si deputet i Republikës së Kosovës. Po shkruaj si njeri që ka kaluar nëpër periudha të ndryshme të historisë së këtij vendi dhe që, bashkë me familjen time, kemi dhënë kontributin tonë në luftën e UÇK-së dhe në rrugën e gjatë të lirisë së Kosovës.

Ky kontribut është i njohur dhe nuk kam nevojë ta dëshmoj me fjalë.

Prandaj, ajo që ndodhi sot më dhemb jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam.
Nuk i bëjnë nder as atyre që sot ndodhen në Hagë dhe që po përballen me një proces të rëndë.

Dhe një sqarim për ata të identifikuar tani që pas asaj që ndodhi, po kërkojnë takim me mua për kërkim falje: kërkimi i faljes është zgjedhje personale e secilit, por kjo nuk e mbyll rastin. Edhe urdhërdhënësi i sulmit tash veçse dihet.
Rastin do ta procedoj tutje në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë së Republikës së Kosovës.
Faleminderit të gjithëve për thirrjet, mesazhet dhe interesimin tuaj. Ju jam mirënjohës për çdo fjalë mbështetjeje dhe përkrahjeje.”(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.