Lëvizja Studentore ka reaguar pas ndalimit të kryetarit të Parlamentit Studentor, Besar Sejdiu, në pikën kufitare të Bllacës, derisa po udhëtonte drejt Italisë së bashku me një grup studentësh.
Sipas reagimit të kësaj lëvizjeje, Sejdiu është veçuar nga pjesa tjetër e grupit nga autoritetet kufitare dhe është njoftuar se emri i tij figuron në një listë për kontroll të veçantë. Megjithatë, atij nuk i janë dhënë sqarime për arsyet e këtij trajtimi.
Rasti ka nxitur reagimin e përfaqësuesve studentorë, të cilët shprehin dyshime për presion institucional ndaj përfaqësuesve të studentëve dhe kërkojnë transparencë nga institucionet kompetente.
Ata kërkojnë të bëhet e ditur se kush ka urdhëruar vendosjen e Sejdiut në listën e kontrollit të veçantë dhe mbi çfarë baze ligjore është marrë një vendim i tillë.
„Nëse dikush mendon se me ndalesa në kufi dhe metoda frikësimi do ta heshtë zërin e studentëve, gabon rëndë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Studentore.
Nga kjo lëvizje paralajmërojnë se ndalimi nuk do t’i tërheqë nga angazhimi i tyre, por përkundrazi, do të vazhdojnë edhe më fuqishëm të kërkojnë realizimin e kërkesave të studentëve.
Deri më tani, në reagimin e publikuar nuk bëhet e ditur nëse institucionet kufitare kanë dhënë ndonjë sqarim zyrtar për arsyet e ndalimit.
Reagimi integral: Lëvizja Studentore shpreh shqetësimin e thellë për presionin dhe represionin institucional që po tentohet të ushtrohet ndaj studentëve dhe organizatave tona.
Gjatë kalimit në pikën kufitare Bllacë, në kufirin me Kosovën, është ndaluar kryetari i Parlamentit Studentor, Besar Sejdiu, i cili po udhëtonte së bashku me studentë të tjerë për të marrë pjesë në aktivitete në Itali.
Pa asnjë arsye të qartë, Besar Sejdiu është veçuar nga grupi i studentëve dhe është shoqëruar nga zyrtarët kufitarë në ambientet e brendshme të pikës kufitare. Arsyetimi i dhënë ka qenë i pabazë dhe fyes, ndërsa mënyra e trajtimit të tij përbën një përpjekje të papranueshme për ta intimiduar dhe për t’i ushtruar presion. Ai është njoftuar se institucionet e Maqedonisë së Veriut e kanë vendosur në një listë për kontroll të veçantë, pa iu dhënë asnjë shpjegim se përse është vendosur në atë listë dhe mbi
çfarë baze është ndërmarrë një veprim i tillë.
Për ne, ky veprim ngre dyshime serioze për presion të qëllimshëm institucional ndaj përfaqësuesve studentorë dhe përpjekje për t’i frikësuar e zbrapsur studentët nga kërkesat e tyre legjitime. Veçimi dhe shoqërimi i një përfaqësuesi studentor në ambientet e brendshme të policisë kufitare, pa një arsyetim të qartë, nuk mund të kalohet në heshtje.
Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të sqarojnë publikisht mbi çfarë baze është vendosur Besar Sejdiu në këtë listë, kush e ka marrë këtë vendim dhe për çfarë arsye. Kush ka dhënë urdhër që një përfaqësues studentor të veçohet dhe të trajtohet në këtë mënyrë?
Nëse dikush mendon se me ndalesa në kufi, presione dhe metoda frikësimi do ta heshtë zërin e studentëve, gabon rëndë. Ne do të vazhdojmë edhe më fuqishëm, edhe më të organizuar dhe edhe më të vendosur në kërkesat tona. Këto përpjekje për të na frikësuar janë të destinuara të dështojnë. Zëri i studentëve nuk do të ndalet. Nga kërkesat tona nuk do të heqim dorë! Flaka
The post Po tentohet të heshtet zëri i studentëve? Reagim pas ndalimit në kufi appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




