Policia e bind 31-vjeçarin ta dorëzojë armën, e shpëton nga vetëvrasja e mundshme
Policët në Ferizaj kanë arritur që t’i shpëtojnë jetën një personi duke e bindur që të heq dorë nga një situatë që dyshohet se mund të kishte përfunduar me vetëvrasje. Rasti, sipas forcave të rendit, ndodhi mbrëmjen e së enjtes, rreth orës...


Policët në Ferizaj kanë arritur që t’i shpëtojnë jetën një personi duke e bindur që të heq dorë nga një situatë që dyshohet se mund të kishte përfunduar me vetëvrasje.
Rasti, sipas forcave të rendit, ndodhi mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 18:30, kur u njoftuan se në Parkun e Lirisë në Ferizaj, një person i gjinisë mashkullore, rreth 31 vjeç, po tentonte t’i bënte keq vetes dhe dyshohej se kishte me vete një armë zjarri.
“Pas marrjes së informacionit, pjesëtarët e Qendrës së Komunikimit Rajonal kanë kontaktuar menjëherë me personin dhe kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm me të, me qëllim qetësimin e situatës dhe bindjen e tij që ta largonte armën me 6 fishekë dhe ta vendoste në një vend të sigurt deri në arritjen e patrullave policore”, thuhet në njoftim.
Më pas, në vendin e ngjarjes kanë reaguar menjëherë njësitet policore të stacionit policor në Ferizaj, të cilët kanë komunikuar me personin, kanë qetësuar situatën dhe kanë arritur ta largojnë pistoletën të cilën ai e kishte pranë vetes në një stol pushimi.
Kësisoj, falë komunikimit të vazhdueshëm mes njësiteve policore, personi është larguar me sukses nga zona e parkut dhe është vendosur në një vend të sigurt. Më pas, ai është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, ku i është ofruar edhe ndihma mjekësore dhe trajtimi i nevojshëm nga ekipi i Emergjencës.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
