Policia e Kosovës merr sigurinë edhe të Manastirit të Deçanit

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur sot integrimin gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit. Sipas njoftimit të KFOR-it, ky proces vjen në kuadër të përmirësimit të s...

gusht 10, 2026 - 21:00
Policia e Kosovës merr sigurinë edhe të Manastirit të Deçanit

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur sot integrimin gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.

Sipas njoftimit të KFOR-it, ky proces vjen në kuadër të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të misionit.

“Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe institucionet në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR ka theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj sigurisë së Manastirit të Deçanit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve lokale.

“Përkushtimi i KFOR-it ndaj sigurisë së Manastirit të Deçanit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve lokale është i palëkundur”, thuhet në njoftim.

Sipas misionit të NATO-s, pjesëtarët e KFOR-it janë të pozicionuar në mënyrë që të mund të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm, në përputhje me mandatin e tij të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara.

“KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, ka theksuar misioni.

KFOR ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.

Ky bashkëpunim, sipas KFOR-it, synon ruajtjen e transparencës, bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë, si dhe shmangien e keqkuptimeve.

“Është e rëndësishme që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe bashkëpunim”, thuhet në deklaratë.

KFOR ka rikujtuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.

Misioni ka theksuar se këtë e bën në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili brenda rolit të përcaktuar si reagues në fushën e sigurisë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.