Policia ndërhyn për t’i dëbuar, banorët lënë gazin hapur, vriten 3 oficerë në Itali
Tre oficerë policie humbën jetën dhe të paktën 13 të tjerë u plagosën nga një shpërthim i fuqishëm në një shtëpi fshati në Castel D’Azzano, në provincën e Veronës, që mendohet se u shkaktua nga një rrjedhje e madhe gazi. Policia po evakuonte shtëpinë, ku ndodheshin tre vëllezër, kur ndodhi shpërthimi, që mendohet të jetë […]

Tre oficerë policie humbën jetën dhe të paktën 13 të tjerë u plagosën nga një shpërthim i fuqishëm në një shtëpi fshati në Castel D’Azzano, në provincën e Veronës, që mendohet se u shkaktua nga një rrjedhje e madhe gazi.
Policia po evakuonte shtëpinë, ku ndodheshin tre vëllezër, kur ndodhi shpërthimi, që mendohet të jetë shkaktuar qëllimisht nga banorët e saj. E gjithë shtëpia dykatëshe u shemb, duke zënë poshtë ushtarët dhe oficerët.
Midis banorëve, një burrë dhe një grua u plagosën dhe u arrestuan. Një anëtar i tretë i familjes është ende në kërkim në zonë. Të tre refuzuan të largoheshin nga shtëpia dhe po i rezistonin dëbimit.
Në vendngjarje ndodheshin edhe zjarrfikësit, të cilët ndërhynë menjëherë, por për tre karabinierët nuk pati asnjë mundësi shpëtimi. Shpërthimi ishte aq i fortë sa u dëgjua deri në 5 kilometra larg.
Ndërtesa është shkatërruar plotësisht dhe është përfshirë nga flakët, të cilat po përpiqen t’i shuajnë dhjetëra zjarrfikës.
Në momentin e hyrjes me forcë të policisë, dëshmitarët raportuan se aroma e gazit ndihej kudo dhe pak çaste më vonë pati një shpërthim.
Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi e cilësoi ngjarjen si tragjike. Ai tha se dyshohet që dikush brenda shtëpisë të ketë hapur bombola me gaz, duke krijuar kushtet për shpërthimin, duke shtuar se një hetim për ngjarjen tashmë ka nisur.
