Redaksia e faqes “RITMI” ka kërkuar falje publike për publikimin e një liste me pagesat e pretenduara të zyrtarëve të BDI-së, duke pranuar se në shifrat e paraqitura janë konstatuar pasaktësi dhe se materiali nuk ishte verifikuar në mënyrë të pavarur para publikimit.
Në një reagim publik, redaksia njofton se materiali fillestar ishte pranuar përmes inbox-it të faqes dhe nuk kishte kaluar nëpër një proces të plotë verifikimi.
“Materiali fillestar ishte pranuar përmes inbox-it të faqes dhe nuk kishte kaluar nëpër një proces të plotë verifikimi të pavarur përpara publikimit”, thuhet në reagimin e RITMI-t.
Redaksia ka sqaruar gjithashtu se faqja ka pasur disa administratorë dhe se, pas shqyrtimit të çështjes, janë ndërmarrë masa të brendshme lidhur me administrimin e saj.
“Personat përkatës nuk kanë më qasje administrative në faqe”, bëhet e ditur në njoftim.
Duke u distancuar nga të dhënat e publikuara, RITMI thekson se ato nuk duhet të konsiderohen si fakte të konfirmuara nga redaksia.
“Redaksia e RITMI-t distancohet nga çdo e dhënë e pasaktë”, thuhet në reagim, ndërsa personave që mund të jenë dëmtuar nga publikimi u është drejtuar një kërkimfalje publike.
“Personave që mund të jenë të dëmtuar nga publikimi i këtij lajmi, u kërkojmë falje publike”, përfundon reagimi i redaksisë së RITMI-t.
Ky sqarim vjen pas reagimeve dhe demantimeve të disa zyrtarëve të apostrofuar në listën e publikuar, të cilët kishin kundërshtuar shifrat dhe paralajmëruar veprime ligjore. Me këtë reagim, RITMI pranon se publikimi nuk kishte kaluar procesin e nevojshëm të verifikimit të pavarur.
Flaka
The post Portali kërkon falje për publikimin e listës së pagave të pretenduara në BDI: U konstatuan pasaktësi në shifra appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




