Privatizimi i tokave shtetërore, vazhdojnë procedurat për kërkesat e mbetura

Propozim ndryshimet e ligjit për privatizim të tokave nën objekte, e të cilat figurojnë në pronësi shtetërore, nuk parashohin afate të reja për dorëzim të kërkesave për privatizim, por jepet mundësi shtesë për personat fizikë të cilët deri ...

Nëntor 8, 2026 - 17:00
Privatizimi i tokave shtetërore, vazhdojnë procedurat për kërkesat e mbetura

Propozim ndryshimet e ligjit për privatizim të tokave nën objekte, e të cilat figurojnë në pronësi shtetërore, nuk parashohin afate të reja për dorëzim të kërkesave për privatizim, por jepet mundësi shtesë për personat fizikë të cilët deri më tani nuk kanë dorëzuar kërkesë për privatizim të tokës deri te Drejtoria për çështje juridiko pronësore. Siç informuan nga Ministria e Financave, ata që nuk kanë dorëzuar kërkesa, kanë afat një vjet nga hyrja në fuqi e ligjit të dorëzojnë shkresë për ndryshim nga e drejta për shfrytëzim në të drejtë pronësie. Afati i fundit para kësaj ishte 31 dhjetori i vitit 2021.

“Nga fillimi i zbatimit të ligjit për privatizim dhe blerje të tokës ndërtimore në pronësi shtetërore, përfshirë afatin e fundit 31.12.2021, në njësitë rajonale e Drejtorisë për Çështje Juridiko Pronësore, janë dorëzuar gjithsej 332,430 kërkesa. Numri më i madh i kërkesave janë dorëzuar në njësitë rajonale në Manastir, Prilep, Kumanovë, Shtip, si dhe në komunat në territorin e Qytetit të Shkupit dhe atë në Gazibabë, Karposh, Kisella Vodë dhe Çair. Në komunat e lartëpërmendura në territor të Shkupit janë dorëzuar 75 mijë kërkesa”. Deklaruan nga Ministria e Financave.

Nga 332 mijë kërkesat e dorëzuara, të pazgjidhura kanë mbetur edhe 58,500 kërkesa dhe me ndryshimet e propozuara ligjore, pritet që zgjidhja të shkojë me dinamikë të përshpejtuar.

Por sa kushton blerja e tokës nga shteti? Çmimet e privatizimit të tokës shtetërore ngelin të pa ndryshueshme. Atëkohë çmimet ishin vendosur madje vetëm 61 denarë për 1m2. Pra, për tokë nën objekt me sipërfaqe 100m2, do ju kushtojë vetëm 100euro. Ky çmim vlen vetëm për tokat që gjenden nën objekt. Më pas, për tokat që janë me qëllime komerciale, tregtare e afariste, çmimi është 438 denarë për m2.

Pronarët e objekteve të ndërtuar me dokumentacion të rregullt apo objekte të legalizuara, mund të kërkojnë blerjen e tokës në komunën përkatëse, në përputhje me ligjin për tokat ndërtimore. Kjo procedurë dallon nga procedura e privatizimit dhe nuk vlejnë çmimet prej 1euro për m2./Alsat.mk


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.