Prodhuesit vendorë para Qeverisë: Kurti ta ndalë bllokadën, kriza institucionale po na çon drejt falimentimit

Prodhuesit vendorë i janë bashkuar sot protestës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve, në mënyrë që problemet me të ci...

gusht 19, 2026 - 09:00
Prodhuesit vendorë para Qeverisë: Kurti ta ndalë bllokadën, kriza institucionale po na çon drejt falimentimit

Prodhuesit vendorë i janë bashkuar sot protestës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve, në mënyrë që problemet me të cilat po përballen fermerët, prodhuesit dhe bizneset të trajtohen institucionalisht.

Në emër të prodhuesve vendorë, Abedin Ramadani, i cili merret me prodhimin e drithërave dhe sektorin e qumështit, tha se kriza institucionale po e rëndon edhe më shumë gjendjen e prodhuesve, të cilët tashmë po përballen me kosto të larta, treg të pasigurt dhe konkurrencë të fortë nga importi.

“Sot, përveç këtyre problemeve, kemi edhe një problem politik që po na dëmton shumë: mbylljen e Kuvendit. Kur Kuvendi nuk funksionon dhe vendi mbahet në bllokadë, askush nuk merret seriozisht me hallet tona. Nuk ka debat për subvencionet, për tregun, për mbrojtjen e prodhimit vendor apo për politikat që na duhen për të mbijetuar”, deklaroi Ramadani.

Ai kritikoi edhe deklaratat e eksponentëve të Qeverisë në detyrë ndaj prodhuesve vendorë, duke thënë se ato po e cenojnë besimin e konsumatorëve dhe po shkaktojnë pasoja përgjatë gjithë zinxhirit të prodhimit.

“Kur humbet besimi te prodhuesi vendor, dëmi nuk i bëhet vetëm një kompanie. Dëmtohet fermeri, punëtori, familja e tij dhe krejt zinxhiri i prodhimit në vend. Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë që shteti të jetë partner i prodhuesit të vet, jo pengesë”, tha ai.

Ramadani i bëri thirrje Albin Kurtit që të hapë rrugën për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që deputetët të mund të diskutojnë dhe të marrin vendime për problemet reale të qytetarëve dhe ekonomisë.

“Z. Kurti, konstituojeni Kuvendin. Lejojini deputetët të hyjnë në sallë dhe të flasin për problemet reale të qytetarëve, fermerëve, prodhuesve dhe bizneseve. Situata është e jashtëzakonshme dhe, nëse kjo gjendje vazhdon, për shumë prodhues vendorë falimentimi po bëhet rrezik real”, deklaroi ai.

Sipas Ramadanit, pasojat e mbylljes së një ferme apo biznesi prodhues janë shumë më të rënda sesa mund të riparohen më vonë me masa qeveritare.

“Kur një fermë mbyllet, ajo nuk hapet përsëri me një vendim të Qeverisë. Ajo mbyllet përgjithmonë. Ne duam të punojmë, të prodhojmë dhe të investojmë këtu. Por shteti duhet të na japë arsye për të vazhduar, jo arsye për të hequr dorë”, përfundoi Ramadani.

Grupi Parlamentar i PDK-së ka vazhduar protestën para Qeverisë me kërkesën për konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit dhe rikthimin e funksionimit të institucioneve, duke theksuar se bllokada institucionale tashmë po prodhon pasoja konkrete për qytetarët, ekonominë dhe prodhuesit vendorë.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.