Prokuroria kërkon paraburgim për 20 vjeçarin nga Reçica, shiste të dhëna dhe materiale abuzive në internet
Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një 20-vjeçari nga fshati Reçica e Madhe për disa vepra nga fusha e krimit kompjuterik. Gjatë veprimeve parahetimore disamujore të koordinuar...
Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një 20-vjeçari nga fshati Reçica e Madhe për disa vepra nga fusha e krimit kompjuterik.
Gjatë veprimeve parahetimore disamujore të koordinuara nga prokurori publik, u siguruan prova që tregojnë dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale – Mashtrim kompjuterik sipas nenit 251-b të Kodit Penal, pasi i dyshuari në periudhën nga viti 2025 deri në 2026 ka administruar një grup online të paligjshëm në aplikacionin e komunikimit „Telegram“, përmes të cilit ofronte shërbime dhe mjete softuerike për mashtrime të lidhura me kthimin e paligjshëm të mjeteve monetare. Përveç kësaj, ai dyshohet edhe për veprën penale – Keqpërdorim i të dhënave personale sipas nenit 149, të cilën e kryente si administrator i domeneve dhe faqeve të internetit të lidhura me platformën „OLVX“, e cila shërbente si treg i paligjshëm për shitjen e të dhënave digjitale të vjedhura, mjeteve softuerike dhe shërbimeve të destinuara për kryerjen e veprave penale.
Përdoruesit kryesorë të platformës ishin kriminelë kibernetikë që blinin dhe shisnin të dhëna personale dhe kredenciale qasjeje për llogari përdoruesish, ndërsa gjatë funksionimit të platformës u ofruan mbi 1.500 të dhëna qasjeje të vjedhura të viktimave – personave fizikë dhe juridikë, informojnë nga PPT dhe shtojnë:
Bazuar në urdhrin për kontroll të siguruar nga gjykata me kërkesë të prokurorit publik, u krye kontroll te i dyshuari dhe u sekuestruan dy telefona celularë. Në një dosje të fshehur në njërin prej telefonave u konstatua se ai posedonte gjithsej 29 video me përmbajtje eksplicite të akteve seksuale midis personave të rritur dhe fëmijëve. Për këtë arsye, 20-vjeçari dyshohet edhe për veprën penale – Prodhim dhe shpërndarje e pornografisë së fëmijëve sipas nenit 193-a të Kodit Penal.
Duke pasur parasysh se ekziston rreziku i padiskutueshëm i arratisjes së të dyshuarit, të cilit i ngarkohen disa vepra penale, si dhe për shkak të rrezikut që ai të vazhdojë të kryejë vepra penale, prokurori publik i dorëzoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Tetovë propozim për caktimin e masës së paraburgimit, thonë nga PPT.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.