Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuarit, hetimi për ujin në Gostivar mund të zgjerohet

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka kërkuar caktimin e masës 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarit në rastin e ndotjes së ujit të pijshëm në Gostivar: ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec”, Artana Asani, udhëheqë...

Korrik 26, 2026 - 08:00
Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuarit, hetimi për ujin në Gostivar mund të zgjerohet

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka kërkuar caktimin e masës 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarit në rastin e ndotjes së ujit të pijshëm në Gostivar: ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec”, Artana Asani, udhëheqësin e Sektorit për Ujë, Vadedin Dauti dhe drejtorin teknik, Leon Mezini. Ata ndodhen para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë.

Prokurori i çështjes, bëri të ditur se në këtë fazë hetimet janë përqendruar vetëm te këta tre persona, por nuk përjashtohet zgjerimi i tyre nëse dokumentacioni dhe provat tregojnë përgjegjësi edhe te institucione apo persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë, tashmë është sekuestruar i gjithë dokumentacioni i NP “Komunalec”, i cili pritet të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave që çuan në shpërthimin e epidemisë në Gostivar.

Hetimet nisën pas një denoncimi anonim të qytetarëve, ndërsa ekipet hetimore konstatuan funksionimin e dy prej tre pompave të vendosura në sistem. Analizat e para të ujit zbuluan përqendrim të shtuar të baktereve koliforme në një pikë të sistemit, si dhe nivele të klorit mbi kufirin e lejuar në një tjetër.

Autoritetet kanë intensifikuar kontrollet dhe marrjen e mostrave në të gjithë rrjetin e ujësjellësit, si dhe në kopshte, institucione shëndetësore, objekte hotelierike, fetare dhe institucione të tjera publike, për të përcaktuar shtrirjen e ndotjes dhe përgjegjësinë për rastin. Gazeta Flaka

The post Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuarit, hetimi për ujin në Gostivar mund të zgjerohet appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.