Prokuroria nis hetimet ndaj drejtoreshës së një institucioni të kursimeve në Kavadar, dyshohet për përvetësim të parave të qytetarëve

Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka nisur procedurë hetimore ndaj drejtoreshës së një institucioni të kursimeve në këtë qytet, e dyshuar për përvetësim të mjeteve financiare të qytetarëve dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton ...

Nëntor 7, 2026 - 16:01
Prokuroria nis hetimet ndaj drejtoreshës së një institucioni të kursimeve në Kavadar, dyshohet për përvetësim të parave të qytetarëve

Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka nisur procedurë hetimore ndaj drejtoreshës së një institucioni të kursimeve në këtë qytet, e dyshuar për përvetësim të mjeteve financiare të qytetarëve dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton Portalb.mk.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Publike, ndaj saj ekzistojnë dyshime për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar, dëmtimin dhe qasjen e paautorizuar në sistemin kompjuterik, si dhe përvetësimin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Nga Prokuroria bëjnë të ditur se e dyshuara, në cilësinë e drejtoreshës së një filiali të institucionit të kursimeve në Kavadar, për një periudhë të gjatë dyshohet se ka manipuluar me paratë e depozituesve përmes veprimeve të kundërligjshme.

Sipas dyshimeve, ajo kishte realizuar kredi fiktive në emër të qytetarëve, ndërsa depozitat e tyre nuk i kishte evidentuar në mënyrë të rregullt, duke përfituar kështu pasuri në mënyrë të paligjshme.

Në kuadër të hetimeve, me kërkesë të prokurorit publik dhe me urdhër të gjykatës, gjatë ditës së djeshme janë realizuar bastisje, ku janë sekuestruar dokumente dhe prova të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Ndërkohë, institucioni i kursimeve ka ndërprerë marrëdhënien e punës me drejtoreshën, pasi janë zbuluar veprimet e dyshuara të kundërligjshme.

Duke vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes së saj, prokurori publik i ka propozuar gjykatës caktimin e masave të kujdesit, përfshirë konfiskimin e pasaportës dhe detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në gjykatë.

Prokuroria Publike njofton se hetimet janë në vazhdim dhe se po ndërmerren veprime të mëtejshme për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rastit.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.