Protesta pro Vuçiqit në Kumanovë, VLEN: e organizoi miku i Bujar Osmanit, BDI: shteti merr erë nga Beogradi
VLEN: Tubimin proserb në Kumanovë e organizoi miku i Bujar Osmanit, konsulli i nderit Vlladimir Stajiq! BDI është partia e fundit që mund të flasë për ndikim serb. Këta janë njerëzit që e sollën Ballkanin e Hapur në Maqedoninë e Veriut, pro...
VLEN: Tubimin proserb në Kumanovë e organizoi miku i Bujar Osmanit, konsulli i nderit Vlladimir Stajiq!
BDI është partia e fundit që mund të flasë për ndikim serb. Këta janë njerëzit që e sollën Ballkanin e Hapur në Maqedoninë e Veriut, projektin që i shërbeu Vuçiqit, e anashkaloi Kosovën dhe u përpoq ta shesë dominimin serb në rajon si “bashkëpunim ekonomik”.
Prandaj, në vend që të bëjnë cirk politik me akuza ndaj VLEN-it, BDI le të ndalë ulërimat dhe të përgjigjet publikisht për lidhjet e veta politike dhe miqësitë me njerëz si Vlladimir Stajiq, emër që lidhet me organizimin e tubimeve në mbështetje të Vuçiqit. Le t’u tregojnë shqiptarëve kush është ky njeri, pse është mik i Bujar Osmanit dhe çfarë kërkon rrethi i BDI-së afër organizatorëve të tubimeve proserbe.
VLEN nuk merr leksione nga partia që e ktheu patriotizmin në biznes familjar dhe shqiptarinë në mbulesë për pazare politike. Ata kur kanë pushtet bëjnë pazare, kur e humbin pushtetin bërtasin “rrezikohet shqiptaria”.
Ne jemi kundër çdo ndikimi serb, kundër çdo tentative për ta larguar Maqedoninë e Veriut nga rruga euroatlantike. Por kemi qenë dhe jemi kundër hipokrizisë së BDI-së, që ditën shitej për patriotë, ndërsa natën bënte allashverishe në dëm të shqiptarëve.
BDI nuk ka problem me “botën serbe”. BDI ka problem vetëm kur shqiptarët ia kujtojnë se Ballkanin e Hapur nuk e solli VLEN-i, por ata që Vuçiqin e takonin në Ohër, e përcillnin në Shën Naum dhe pastaj shqiptarëve ua shisnin si partner rajonal.
BDI: Kur shteti merr erë Beogradi, VLEN merret me studentët shqiptarë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar përmes një kumtese publike lidhur me zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, duke ngritur shqetësime për, siç thuhet, ndikime serbe në institucionet shtetërore dhe duke kritikuar koalicionin VLEN për heshtje.
Në reagimin e tyre, nga BDI përmendin pretendimet e bëra nga opozita se një zëvendëskryeministër i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ka lidhje me shërbimet serbe. Sipas partisë, shqetësim shtesë paraqet edhe tubimi i mbajtur në Kumanovë në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku, sipas tyre, janë dëgjuar edhe thirrje kundër Kosovës.
“Pyetja është: ku janë VLEN?”, thuhet në reagimin e BDI-së, duke akuzuar koalicionin shqiptar në qeveri se po hesht përballë çështjeve që lidhen me orientimin strategjik dhe euroatlantik të shtetit.
Nga BDI vlerësojnë se shqiptarët kanë qenë “garancia më e fortë e kursit pro-evropian dhe pro-NATO të Maqedonisë së Veriut”, ndërsa shtojnë se heshtja ndaj këtyre zhvillimeve “nuk është neutralitet, por pozicionim”.
Kumtimi vjen në një periudhë kur në debatet politike dhe evropiane janë përmendur shqetësime për ndikimin e konceptit të ashtuquajtur “bota serbe” në rajon.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.