Protestat e dhunshme në Shqipëri, mbi 150 të arrestuar brenda katër ditësh

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit. Sipas tij, nga p...

tetor 16, 2026 - 16:30
Protestat e dhunshme në Shqipëri, mbi 150 të arrestuar brenda katër ditësh

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit.

Sipas tij, nga përplasjet në disa qytete të vendit janë lënduar 120 zyrtarë policorë, ndërsa strukturat e specializuara po hetojnë edhe mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale, përmes të cilave janë bërë thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe janë drejtuar kërcënime ndaj policisë.

“Deri në këto momente në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike”, ka thënë Ziu.

Ai ka bërë të ditur se masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Durrës janë arrestuar 23 persona dhe 12 të tjerë janë proceduar penalisht. Në Korçë janë arrestuar dy persona, ndërsa 23 janë proceduar në gjendje të lirë. Në Vlorë janë proceduar 20 persona, në Shkodër nëntë, në Elbasan gjashtë dhe në Kukës dhjetë persona.

Gjatë protestës në Shkodër, sipas Ziut, është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ai ka bërë të ditur se personi i dyshuar për plagosjen është identifikuar, por nuk është arrestuar për shkak të moshës.

Ndërkohë, Ziu ka konfirmuar se 120 punonjës policie janë lënduar nga dhuna gjatë protestave në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës.

“Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie”.

Hetime për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale

Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë nisur hetimet për kanale dhe grupe komunikimi në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje kriminale.

Ziu ka thënë se autoritetet po bashkëpunojnë me agjencitë partnere ndërkombëtare për të identifikuar adresat IP, administratorët e këtyre kanaleve dhe përdoruesit që bëjnë thirrje për dhunë e akte terroriste.

“Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, potencoi ai.

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe ata që përdorin dhunë, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk duhet të shndërrohet në arsyetim për akte të tilla.

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”.

Po ashtu, Ziu ka thënë se policëve u është kërkuar të tregojnë vetëpërmbajtje dhe proporcionalitet gjatë ndërhyrjeve, edhe në situata kur përballen me sulme të rrezikshme ose kur mbrojnë institucionet.

“pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet”.

Gjatë katër ditëve të fundit, ndërkaq, janë raportuar edhe raste të përdorimit të dhunës nga zyrtarët policorë ndaj qytetarëve gjatë protestave.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.