Pse Pakti i Mekës nuk po ndërhyn në Jemen?

Pakti i Mekës mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit u vu menjëherë në pikëpyetje pas sulmeve të fundit të Houthive nga Jemeni kundër territorit dhe infrastrukturës energjetike saudite. Marrja nën kontroll e disa zonave bregdetare pran...

shtator 15, 2026 - 15:01
Pse Pakti i Mekës nuk po ndërhyn në Jemen?

Pakti i Mekës mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit u vu menjëherë në pikëpyetje pas sulmeve të fundit të Houthive nga Jemeni kundër territorit dhe infrastrukturës energjetike saudite.

Marrja nën kontroll e disa zonave bregdetare pranë ngushticës Bab El-Mandeb dhe sulmet ndaj tubacionit East-West, përmes të cilit transportohet rreth 4 për qind e furnizimit global me naftë, e shtuan edhe më shumë presionin mbi aleancën e re, raporton Middle East Eye.

Pyetja ishte e thjeshtë: nëse një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve, pse Turqia dhe Pakistani nuk kanë ndërhyrë ushtarakisht në krah të Arabisë Saudite?

Sipas një zyrtari të lartë turk, problemi qëndron te një keqinterpretim i vetë marrëveshjes. Ai argumenton se detyrimet e mbrojtjes nuk janë ende juridikisht në fuqi, pasi marrëveshja duhet të ratifikohet nga institucionet përkatëse të secilit shtet.

Në Turqi, marrëveshjet e sigurisë kërkojnë miratimin e parlamentit, ndërsa edhe Pakistani duhet të ndjekë procedurën parlamentare. Arabia Saudite mund ta ratifikojë marrëveshjen përmes dekretit mbretëror.

Ankaraja pritet ta dërgojë marrëveshjen në parlament së shpejti, ndoshta në tetor. Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave do të mund të flitet për aktivizimin e plotë të mekanizmave të mbrojtjes, sipas Middle East Eye.

Por edhe atëherë, pakti nuk do të funksionojë si një buton që, sapo një anëtar sulmohet, aktivizon automatikisht një kundërgoditje ushtarake.

Zyrtari turk e krahason marrëveshjen me nenin 5 të NATO-s, i cili detyron aleatët të ndihmojnë një anëtar të sulmuar, por nuk përcakton domosdoshmërisht përdorimin e forcës ushtarake.

Sipas tij, një sulm duhet të pasohet nga konsultime mes vendeve anëtare dhe nga një vendim i përbashkët për mënyrën e reagimit. “Një sulm nuk shkakton automatikisht një kundërsulm ushtarak”, është thelbi i argumentit turk.

Edhe neni 5 i NATO-s nuk nënkupton domosdoshmërisht një kundërpërgjigje ushtarake automatike, thekson Middle East Eye. Për më tepër, tre vendet duhet ende të ndërtojnë infrastrukturën ushtarake të aleancës.

Turqia ka zhvilluar më parë stërvitje me Pakistanin dhe Arabinë Saudite, por të tria vendet nuk kanë zhvilluar ende një stërvitje të përbashkët trepalëshe. Duhet të harmonizohen procedurat, pajisjet dhe sistemet e komunikimit, si dhe të përcaktohen planet konkrete të mbrojtjes.

Në takimin e Stambollit më 31 gusht, tre vendet ranë dakord të krijojnë një sekretariat në Arabinë Saudite dhe të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta për forcimin e kapaciteteve ushtarake. Sipas zyrtarit turk, institucionalizimi i aleancës mund të kërkojë disa vite.

Kjo shpjegon edhe reagimin e kufizuar ndaj sulmeve të Huthëve. Turqia dhe Pakistani dënuan publikisht sulmet ndaj Arabisë Saudite, ndërsa Pakistani deklaroi se Riad-i nuk i kishte kërkuar ndërhyrje ushtarake, pavarësisht marrëveshjes së tij dypalëshe të mbrojtjes me Arabinë Saudite.

Middle East Eye vëren se kjo mbështetje politike nuk është e njëjtë me aktivizimin e një mekanizmi të përbashkët ushtarak. Për Ankaranë, objektivi i Paktit të Mekës nuk është të zgjidhë menjëherë çdo krizë, por të krijojë gradualisht një mekanizëm parandalues.

Sulmet e Huthëve ndaj Arabisë Saudite dhe tensionet e mundshme mes Indisë dhe Pakistanit konsiderohen pikërisht sprovat më të vështira për aleancën e re.

Pra, pyetja nuk është vetëm pse Pakti i Mekës nuk po ndërhyn sot në Jemen. Pyetja më e rëndësishme është nëse, kur të jetë plotësisht funksional, do të arrijë të krijojë një forcë të mjaftueshme parandaluese që sulmet ndaj një anëtari të mos shndërrohen në një krizë më të madhe rajonale, përfundon analiza e Middle East Eye. \tesheshi.com\

The post Pse Pakti i Mekës nuk po ndërhyn në Jemen? appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.