Qetësohet situata para Kuvendit, OVL e UÇK-së sërish thirrje për të dalë në shesh
Situata para ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës është qetësuar pas tensioneve të zhvilluara gjatë mbrëmjes, ku forcat speciale të Policisë së Kosovës janë zhvendosur nga kordoni i vendosur pranë Teatrit Kombëtar drejt objektit të...
Situata para ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës është qetësuar pas tensioneve të zhvilluara gjatë mbrëmjes, ku forcat speciale të Policisë së Kosovës janë zhvendosur nga kordoni i vendosur pranë Teatrit Kombëtar drejt objektit të ekzekutivit.
Me largimin e kordonit, protestuesit janë afruar drejt ndërtesës së Qeverisë.
Paraprakisht, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, u ka bërë thirrje pjesëmarrësve për qetësi dhe maturi.
Në vendngjarje, deputetët e PDK-së Enver Hoxhaj, Blerta Deliu-Kodra dhe Ariana Musliu-Shoshi kanë zhvilluar një bisedë me komandantin operacional të Policisë së Kosovës, ku kanë kërkuar tërheqjen e njësive policore dhe janë ankuar për përdorim të dhunës joproporcionale gjatë ndërhyrjes.
Drejtori i Qendrës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se si pasojë e përplasjeve gjatë protestës, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 12 persona — nëntë prej të cilëve protestues dhe një zyrtar policor.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) u ka bërë thirrje qytetarëve dhe kategorive të dala nga lufta që të mblidhen sërish të martën në mëngjes në sheshin e Prishtinës.
Kjo thirrje vjen në një moment kritik politik, pasi e marta shënon afatin e fundit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës — dështimi i të cilit e çon vendin automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh — si dhe afatin e fundit për votimin në lexim të dytë të plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një njoftim zyrtar në rrjetet sociale, OVL e UÇK-së ka apeluar për masivitet: “Popull i dashur. Kategori të dala nga lufta e UÇK-së. Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës. Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon.”(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.