Qeveria shqiptare jep pension të posaçëm për 117-vjeçaren Qamile Marra

Me propozim të kryeministrit Edi Rama, Këshilli i Ministrave vendosi sot dhënien e një shtese të pensionit të posaçëm shtetëror për Qamile Marrën, 117-vjeçaren nga Ferrasi i Beratit. Sipas vendimit, Qamile Marra do të përfitojë një shtesë p...

tetor 7, 2026 - 22:00
Qeveria shqiptare jep pension të posaçëm për 117-vjeçaren Qamile Marra

Me propozim të kryeministrit Edi Rama, Këshilli i Ministrave vendosi sot dhënien e një shtese të pensionit të posaçëm shtetëror për Qamile Marrën, 117-vjeçaren nga Ferrasi i Beratit.

Sipas vendimit, Qamile Marra do të përfitojë një shtesë pensioni të posaçëm në masën e dhjetëfishit të pensionit social. Shuma e pensionit të saj, së bashku me përfitimet e tjera të parashikuara nga legjislacioni dhe këtë shtesë, nuk do të kalojë 12-fishin e pensionit social.

Në 117 vjetët e jetës, nënë Qamilja ka parë të rriten pesë breza të familjes. Historia e saj tërhoqi vëmendjen e mediave për jetëgjatësinë e rrallë dhe energjinë me të cilën vazhdon të merret me punët e vogla të përditshme.

Pas një jete pune në bujqësi, siç ajo rrëfeu për mediat, kujdeset për oborrin, e rrethuar nga familjarët. Krahas elementëve njerëzorë, familjarët ndanë publikisht edhe dëshirën që nënë Qamilja të përfitonte një pension të posaçëm.

Tashmë, me propozimin e kryeministrit Edi Rama, Këshilli i Ministrave i ka akorduar Qamile Metan Marrës një shtesë pensioni të posaçëm shtetëror, që sjell më shumë mbështetje financiare për të dhe familjen e saj. /ATSH


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.