Qytetarët e RMV-së sërish do të mund të aplikojnë për viza emigruese në SHBA

Gjykatësja Janet Vargas e Gjykatës Federale të Rrethit në Manhattan vendosi se zyrtarët amerikanë në praktikë ishin udhëzuar të refuzonin kërkesat për viza nga aplikantët, madje edhe nga ata që mund të mbështeteshin vetë, vetëm mbi bazën e ...

gusht 22, 2026 - 17:30
Qytetarët e RMV-së sërish do të mund të aplikojnë për viza emigruese në SHBA

Gjykatësja Janet Vargas e Gjykatës Federale të Rrethit në Manhattan vendosi se zyrtarët amerikanë në praktikë ishin udhëzuar të refuzonin kërkesat për viza nga aplikantët, madje edhe nga ata që mund të mbështeteshin vetë, vetëm mbi bazën e vendit të tyre të origjinës.

Ndalimi për viza imigruese për qytetarët e 75 vendeve, i vendosur nga administrata e presidentit të SHBA Donald Trump, u anulua sot nga një gjykatëse federale si “në kundërshtim me ligjin”. Ajo vlerësoi se Sekretari i Shtetit Marco Rubio kishte tejkaluar kompetencat e tij ligjore me vendosjen e ndalimit. Tani administrata e Trump ka të drejtë ankese, përcjell Pa Censurë.

Në janar, Departamenti i Shtetit pezulloi lëshimin e vizave imigruese për vende ku jeton pothuajse 40% e popullsisë botërore – duke përfshirë Brazilin, Kolumbinë, Egjiptin, Haitin, Somalinë dhe Rusinë – me arsyetimin se kjo do të parandalonte hyrjen e njerëzve që do “përdornin ndihmë sociale dhe përfitime publike”, raportoi CNN.

Mes këtyre vendeve u përfshinë edhe Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nga rajoni.

Gjykatësja Janet Vargas e Gjykatës Federale të Rrethit në Manhattan kundërshtoi arsyetimin e Departamentit të Shtetit për masën dhe anuloi çdo refuzim të kërkesave për viza vetëm mbi bazën e atij arsyetimi, transmeton Pa Censurë.

Sipas ligjit, një imigrant mund t’i refuzohet hyrja si person i vlerësuar si “barrë për fondet publike” (d.m.th. person për të cilin pritet të varet nga ndihma qeveritare) vetëm pasi zyrtari konsullor të ketë shqyrtuar rrethanat e tij ose të saj financiare, moshën, shëndetin, aftësitë dhe rrethanat familjare.

Gjykatësja Vargas vendosi se zyrtarët amerikanë në praktikë ishin udhëzuar të refuzonin kërkesat për viza nga aplikantët, madje edhe nga ata që mund të mbështeteshin vetë, vetëm mbi bazën e vendit të tyre të origjinës.

Ndalimi i vizave pezulloi lëshimin e vizave për qëndrim të përhershëm për persona që udhëtojnë në SHBA për ribashkim me anëtarë të familjes ose punë, por nuk vinte në fuqi për viza joimigruese, si ato turistike ose studentore.

Memorandumi që Rubio dërgoi te të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore, i cili u përfshi në dosjen gjyqësore, u urdhëronte zyrtarëve të refuzonin aplikantët madje edhe kur dikush “paraqiste prova shtesë që tregonin se kishin tejkaluar bazat për refuzim për shkak të mundësisë për t’u bërë barrë për fondet publike”, njofton Pa Censurë.

Megjithatë, administrata fitoi në një pikë të ngushtë, pasi gjykatësja pranoi se politika nuk ishte rregull formal që duhej të ishte e hapur për diskutim publik para se të hynte në fuqi.

Vargas, e emëruar në detyrë nga ish-presidenti Joe Biden, u dha afat të dyja palëve deri më 11 shtator për të propozuar mënyrën e zgjidhjes së çështjeve të mbetura në rast. Administrata mund të ankohet kundër vendimit.

Për momentin nuk ka reagim nga administrata e Trump.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.