Presidenti bullgar Rumen Radev ka paralajmëruar se do ta ngrejë sërish në nivel evropian çështjen e trajtimit të qytetarëve me identitet bullgar në Maqedoninë e Veriut, duke pretenduar se gjendja e tyre po përkeqësohet.
Gjatë qëndrimit në Dublin, ku po merr pjesë në takimin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian, Radev foli edhe për marrëdhëniet mes Sofjes dhe Shkupit, duke përsëritur shqetësimet e Bullgarisë lidhur me pakicën bullgare në RMV.
“Problemet e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut po thellohen”, deklaroi Radev, sipas raportimeve të mediave bullgare.
Ai bëri të ditur se synon ta rikthejë këtë çështje në diskutimet me liderët evropianë, duke e vendosur sërish në fokus qëndrimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut ndaj qytetarëve që identifikohen si bullgarë.
Në të njëjtën paraqitje, Radev theksoi edhe nevojën për përfshirjen e Evropës në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke argumentuar se kontinenti nuk mund të mbetet jashtë vendimeve që përcaktojnë të ardhmen e sigurisë evropiane.
“Evropa duhet të marrë pjesë në negociatat për Ukrainën, pa të nuk mund të ketë arkitekturë të re sigurie”, u shpreh ai.
Takimi në Dublin mbahet në kuadër të Komunitetit Politik Evropian, ku janë mbledhur liderë nga më shumë se 50 shtete dhe përfaqësues të institucioneve kryesore evropiane e ndërkombëtare. Në mesin e pjesëmarrësve është edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Deklaratat e Radevit rikthejnë në agjendën diplomatike evropiane një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes dy vendeve, në një kohë kur çështja e përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së mbetet pjesë e debatit për procesin e integrimit evropian. Flaka
The post Radev e ndërkombëtarizon sërish çështjen e bullgarëve në RMV: Problemet po thellohen appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




