Rahoveci dhe Vitia kundër aktgjykimit në Hagë: “JO NË EMËRIN TIM!”

Kuvendet komunale të Rahovecit dhe Vitisë kanë miratuar deklarata përmes të cilave kanë shprehur kundërshtimin dhe mospajtimin me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çli...

shtator 25, 2026 - 13:30
Rahoveci dhe Vitia kundër aktgjykimit në Hagë: “JO NË EMËRIN TIM!”

Kuvendet komunale të Rahovecit dhe Vitisë kanë miratuar deklarata përmes të cilave kanë shprehur kundërshtimin dhe mospajtimin me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Aktgjykimi ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së u shpall më 16 shtator 2026. Gjykata i gjeti të katër fajtorë për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Rahoveci: “Aktgjykim i papranueshëm”

Kuvendi i Komunës së Rahovecit e ka cilësuar aktgjykimin si të papranueshëm, duke theksuar se ai, sipas deklaratës, prek ndjenjën e drejtësisë dhe kujtesën kolektive të popullit të Kosovës.

Në deklaratë përmenden edhe rastet e Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës, për të cilët Kuvendi i Rahovecit shpreh mospajtim me dënimet e shqiptuara.

“Kujtesa jonë dhe ballafaqimi me padrejtësinë lidhet edhe me dënimin e padrejtë e të papranueshëm të Sali Mustafës dhe të Pjetër Shalës”, thuhet në deklaratën e miratuar.

Vitia: Mospajtim i thellë me vendimin

Edhe Kuvendi i Komunës së Vitisë ka miratuar një deklaratë ku shpreh “mospajtimin e thellë” me aktgjykimin e shpallur më 16 shtator.

Në deklaratë thuhet se Kuvendi respekton pavarësinë e gjyqësorit, por vlerëson se përgjegjësia penale individuale duhet të mbështetet në prova të qarta, konkrete dhe bindëse, të mjaftueshme për të përmbushur standardin e provës përtej dyshimit të arsyeshëm.

Kuvendi i Vitisë shpreh shqetësimin se përgjegjësia individuale, sipas qëndrimit të tij, nuk duhet të ndërtohet mbi supozime, përgjithësime, dëshmi të tërthorta apo lidhje të nxjerra nga pozitat politike dhe ushtarake që të akuzuarit kanë mbajtur gjatë luftës.

Deklarata i referohet edhe faktit se Trupi Gjykues i liroi të katër të akuzuarit nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas përmbledhjes së aktgjykimit, katër ish-krerët u dënuan për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

Kuvendi i Vitisë ka shprehur solidaritet me familjet e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, si dhe me personat që, sipas deklaratës, e kanë përjetuar procesin gjyqësor me dhimbje dhe shqetësim.

Në mesin e kërkesave të paraqitura është mbështetja e përpjekjeve institucionale për dokumentimin e asaj që Kuvendi e konsideron të vërtetën historike për luftën e Kosovës, trajtimi me drejtësi i krimeve ndaj popullsisë civile dhe përdorimi i të gjitha mjeteve juridike në dispozicion për katër ish-krerët e UÇK-së.

Në fund të deklaratës së Vitisë, duke iu referuar formulimit “Në emër të popullit të Kosovës”, me të cilin u shpall aktgjykimi, përcillet mesazhi:

“JO NË EMËRIN TIM!”

Deklaratat e dy kuvendeve komunale vijnë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së të të cilëve ka zgjatur prej vitesh.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.