Rama për plagosjen e të riut në protestë: Në dhunë s’mund të shmanget çdo lëndim, u angazhova për ta kuruar në Itali
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar plagosjen e protestuesit Erjon Vishkulli gjatë protestës së djeshme. Protestuesi u godit në sy me plumb gome, ndërsa sot do të udhëtojë për në Romë për t’u mjekuar. Rama tha se “pjesëmarrja n...


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar plagosjen e protestuesit Erjon Vishkulli gjatë protestës së djeshme.
Protestuesi u godit në sy me plumb gome, ndërsa sot do të udhëtojë për në Romë për t’u mjekuar.
Rama tha se “pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre”.
Duke thënë indirekt se kreu i PD, Sali Berisha ka dorë në këto protesta, Rama shtoi se i vjen keq për këdo që lëndohet, por sipas tij lëndimet nuk mund të shmangen në këto raste.
“Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?! Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur
”, shkroi Rama në një postim në Facebook.
“Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën: Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit
Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së mallkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend e ky popull sheh dritë!”, shkroi Rama.
“Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni. Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni

”, shtoi ai.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.