Ramadani: Sot përfundon edhe afati që vetë VV e ka caktuar për konstituimin e Kuvendit, s’po e respektojnë as këtë
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se sonte skadon edhe afati sipas interpretimit politik të Vetëvendosjes për konstituimin e Kuvendit. Pasi Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua brenda afatit kushtetues, i cili përfundoi më 7 gusht...


Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se sonte skadon edhe afati sipas interpretimit politik të Vetëvendosjes për konstituimin e Kuvendit.
Pasi Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua brenda afatit kushtetues, i cili përfundoi më 7 gusht, nga Lëvizja Vetëvendosje këtë filluan ta gjejnë një afat të ri që, sipas tyre, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit vlen pas thirrjes së seancës konstituive.
Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, kishte thënë se afati për konstituimin e Kuvendit është deri më 6 shtator.
“I kemi 30 ditë për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit, ky është interpretimi ynë”, kishte thënë ajo në një ngjarje të tensionuar që ndodhi në Kuvend mes deputetëve të Vetëvendosjes me ata të PDK’së dhe AAK’së.
Për këtë, Ramadani thotë se “nga nesër nuk mbetet më asnjë afat, as kushtetues, as sipas interpretimit politik që vetë VV-ja e ka bërë”.
“Situata është e thjeshtë:
• Më 8 korrik janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve. • Seanca konstituive është thirrur më 6 gusht. • Interpretimi kushtetues është se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve. Sipas këtij interpretimi, afati ka përfunduar më 7 gusht. • Interpretimi politik i Vetëvendosjes ka qenë se afati prej 30 ditësh fillon nga dita e thirrjes së seancës konstituive. Sipas kësaj logjike, afati skadon sonte, më 5 shtator, në orën 23:59. Kaq e thjeshtë është”, ka shkruar ai.
Ramadani thotë se jo vetëm që nuk u respektua interpretimi kushtetues për afatin e konstituimit të Kuvendit, por Vetëvendosje nuk po e respekton as interpretimin e saj politik për këtë afat.
“Prandaj, thirrja e vazhdimit të seancës për 9 shtator nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si provokim i qëllimshëm dhe si një veprim që prodhon jostabilitet institucional. Kuvendi mund të konstituohet vetëm edhe sot. Pas sonte nuk ka më asnjë arsyetim, asnjë interpretim dhe asnjë sekondë shtesë. Pas ditës së sotme, nuk ka më afat as kushtetues, as politik, as moral”.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, dje njoftoi se e ka thirrur vazhdimin e seancës për datën 9 shtator.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.