Raporti i KE-së: Presioni politik ndaj gjyqësorit cenon pavarësinë, përmendet edhe rasti i Artan Grubit

Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut, duke konstatuar se ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor vazhdojnë të mbeten një nga sfidat kryesore të vendit në rrugën drejt int...

Nëntor 4, 2026 - 18:00
Raporti i KE-së: Presioni politik ndaj gjyqësorit cenon pavarësinë, përmendet edhe rasti i Artan Grubit

Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut, duke konstatuar se ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor vazhdojnë të mbeten një nga sfidat kryesore të vendit në rrugën drejt integrimit evropian.

Në raportin vjetor për progresin, Brukseli vlerëson se pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit duhet të përforcohen në të gjitha nivelet, ndërsa besimi i qytetarëve në drejtësi mbetet në nivel të ulët.
“Ndërhyrjet e vazhdueshme të jashtme dhe politike mbeten një shqetësim serioz”, theksohet në raport, ku kritikohet retorika e përfaqësuesve të lartë qeveritarë ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë.

Komisioni Evropian nënvizon se deklaratat publike për “pastrimin” e gjyqësorit, të shoqëruara me kritika personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, përbëjnë formë të ndikimit të papërshtatshëm dhe presionit politik.
“Deklaratat provokuese të politikanëve të lartë përbëjnë ndikim të papërshtatshëm dhe frikësim, duke minuar pavarësinë gjyqësore”, vlerëson raporti.

Si tregues i tensioneve ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe institucioneve të drejtësisë, raporti rikujton reagimin e përbashkët të Gjykatës Supreme, Këshillit Gjyqësor dhe Shoqatës së Gjyqtarëve në nëntor të vitit 2025, kur këto institucione kundërshtuan publikisht kritikat e vazhdueshme që vinin nga nivelet më të larta të qeverisë.
Në deklaratën e tyre, organet e drejtësisë paralajmëruan se sulme të tilla cenojnë ndarjen demokratike të pushteteve dhe dëmtojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Raporti veçon edhe rastin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, pa e përmendur emrin e tij, por duke iu referuar një ish-funksionari të lartë qeveritar ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar.

“Një ish-zëvendëskryeministër, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar, u kthye në vend, u vendos në arrest shtëpie dhe po gjykohet për akuza që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës”, thuhet në dokument.

Megjithatë, Komisioni Evropian vëren se pavarësisht hetimeve dhe procedurave të nisura në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, rezultatet konkrete mbeten të kufizuara.

“Vazhdojnë të mbeten sfida të theksuara sistemike në përkthimin e përpjekjeve hetimore në rezultate të prekshme, veçanërisht për sa i përket procedurave gjyqësore efektive dhe rikuperimit të aseteve”, thekson raporti.

Sipas të dhënave të përfshira në raport, gjatë vitit 2025 janë evidentuar 54 hetime të reja për korrupsion të nivelit të lartë dhe 29 aktakuza, por vetëm 12 raste kanë përfunduar me vendime dënuese të formës së prerë. Këto shifra, sipas Komisionit Evropian, tregojnë se hendeku ndërmjet hetimeve dhe epilogut gjyqësor mbetet një problem i vazhdueshëm në luftën kundër korrupsionit.
Raporti përfundon se forcimi i pavarësisë së gjyqësorit, mbrojtja e tij nga ndikimet politike dhe përmirësimi i rezultateve konkrete në ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë mbeten prioritete kyçe për Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit evropian. Gazeta Flaka

The post Raporti i KE-së: Presioni politik ndaj gjyqësorit cenon pavarësinë, përmendet edhe rasti i Artan Grubit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.