Raportohet për vrasje masive në qytetin sudanez të kapur nga paramilitarët e RSF-së

Po rrjedhin raportime për vrasje masive të motivuara etnikisht dhe mizori të tjera në qytetin El Fasher, pasi Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), grup paramilitar që po lufton kundër ushtrisë sudaneze nga pranvera e vitit 2023, e mori këtë vendbanim nën kontroll në fundjavë. Paralajmërim: Artikulli i mëposhtëm përmban pamje (video) të ekzekutimeve. Nuk rekomandohet

tetor 29, 2025 - 10:30
 0
Raportohet për vrasje masive në qytetin sudanez të kapur nga paramilitarët e RSF-së
Raportohet për vrasje masive në qytetin sudanez të kapur nga paramilitarët e RSF-së

Raportohet për vrasje masive në qytetin sudanez të kapur nga paramilitarët e RSF-së

Po rrjedhin raportime për vrasje masive të motivuara etnikisht dhe mizori të tjera në qytetin El Fasher, pasi Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), grup paramilitar që po lufton kundër ushtrisë sudaneze nga pranvera e vitit 2023, e mori këtë vendbanim nën kontroll në fundjavë.

Paralajmërim: Artikulli i mëposhtëm përmban pamje (video) të ekzekutimeve. Nuk rekomandohet për persona nën moshën 18-vjeçare!

Pamjet e publikuara nga aktivistët lokalë shfaqin një luftëtar të njohur për ekzekutimin e civilëve në zonat e kontrolluara nga RSF-ja duke qëlluar me armë nga afërsia një grup të civilëve të paarmatosur të ulur në tokë

Në disa video të publikuara nga aktivistët lokalë pretendohet se shfaqen dhjetëra njerëz të shtrirë të vdekur në tokë buzë disa automjeteve të djegura. Pamjet nuk janë verifikuar, raporton gazeta “The Guardian”.

Në një deklaratë të lëshuar të martën, Forcat e Bashkuara – grup aleat i ushtrisë sudaneze – e akuzuan RSF-në për ekzekutimin e më shumë se 2.000 civilëve të paarmatosur ditëve të fundit.

Laboratori për Hulumtim Humanitar i Universitetit Yale, i cili ka qenë duke e vëzhguar luftën në Sudan duke përdorur inteligjencë me burime të hapura dhe pamje satelitore, tha se ka gjetur dëshmi që përputhet me vrasjet masive nga RSF-ja.

Të martën, ky laborator tha se qyteti “duket se është në një proces sistematik dhe të qëllimshëm të spastrimit etnik të komuniteteve indogjene joarabe Berti, Fur dhe Zaghawa përmes zhvendosjes me forcë dhe ekzekutimit jashtëgjyqësor”.

Nathaniel Raymond, drejtor ekzekutiv i Laboratorit të Yale-t, tha se dëshmitë satelitore tregojnë trupa në tokë dhe çngjyrosje të së kuqes në tokë. Ai e krahasoi nivelin e dhunës në El Fasher me 24 orët e para të Gjenocidit të Ruandës.

“Jemi vetëm në fillimin e një vale të dhunës. Kurrë nuk kam parë një nivel dhune kundër një zone siç po shohim tani. Kjo krahasohet vetëm me stilin ruandez të vrasjeve në 24 orët e para” – tha Raymond.

RSF-ja tha të dielën se e kishte marrë nën kontroll bazën kryesore të ushtrisë në El Fasher dhe lëshoi një deklaratë ku tha se e kishte “zgjeruar kontrollin mbi qytetin El Fasher nga duart e mercenarëve dhe grupeve militante”.

Komandanti i ushtrisë sudaneze, Gjeneral Abdel Fattah al-Burhan, tha të hënën se forcat e tij ishin tërhequr nga qyteti për në “një lokacion më të sigurt”, duke e pranuar humbjen e kontrollit mbi atë vendbanim.

RSF-ja është përfshirë në një luftë të përgjakshme civile me ushtrinë sudaneze nga prilli i vitit 2023 në betejën për pushtet. Më shumë se 150.000 njerëz janë vrarë dhe mbi 14 milionë të tjerë janë zhvendosur për shkak të luftimeve.