Rasti “Bellanoce-Baron”: Nis ekstradimi, vazhdon gjykimi

Ministria e Drejtësisë konfirmon për Alsat se ka filluar procedura e ekstradimit të 26-vjeçarit Musa Xhavit dhe 34-vjeçarit Senafi Nuredini, dy shtetasve të cilët paraprakisht u arrestuan në Shqipëri. Siç mëson Alsat, vijon procesi i përkth...

shtator 5, 2026 - 22:00
Rasti “Bellanoce-Baron”: Nis ekstradimi, vazhdon gjykimi

Ministria e Drejtësisë konfirmon për Alsat se ka filluar procedura e ekstradimit të 26-vjeçarit Musa Xhavit dhe 34-vjeçarit Senafi Nuredini, dy shtetasve të cilët paraprakisht u arrestuan në Shqipëri.

Siç mëson Alsat, vijon procesi i përkthimit të dokumentacionit, megjithatë nuk mund të dihet me saktësi sa mund të zgjasë ekstradimi duke e pasur parasysh se procedura është komplekse dhe në masë të madhe varet edhe nga efikasiteti i autoriteteve shqiptare.

Xhavit dhe Nuredini u kapën më 10 korrik në Durrës pas një operacioni ndërkombëtar. Ata dyshohen për vepra të rënda penale, përfshirë dhe vrasje. Në momentin e arrestimin, autoritetet policore kishin gjetur dokumente identifikimi të falsifikuara me qëllim për t’iu shmangur autoriteteve të sigurisë dhe drejtësisë.

Xhavit dyshohet për vrasjen e oficerit ushtarak Agim Muharremi në Batincë të Shkupit, në korrik të vitit 2025. Megjithatë, Xhavit dyshohet edhe për një vrasje tjetër në Batincë si pjesë e operacionit të klanit “Bellanoca-Baron”. Paraprakisht ka qenë në burg për armëmbajtje pa leje.

Pjesë e këtij grupi dyshohet të jetë edhe Nuredini, i cili gjithashtu kërkohet për vepra të rënda përfshirë vrasje, tentim vrasje, shoqërim kriminal, armëmbajtje pa leje e të tjera.

Ndërkohë grupi Bellanoca gjatë periudhës së kaluar ka qenë në shënjestër të autoriteteve të sigurisë dhe hetimit. Pas procedurës gjyqësore e cila zgjati mbi një vit, gjykata dënoi personat e parë të grupit. Njërin me 20 vjet, ndërsa dy të tjerët me 11 dhe 4 vjet burg. Kundër grupit “Bellanoca” vazhdon gjykimi edhe për anëtarë të tjerë të cilët akuzohen për 8 vrasje, shoqërim kriminal, zhvatje, kërcënime, djegie të objekteve dhe veturave. /Alsat.mk


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.