Reagon “Pastrimi”: Veprimet e Komunës së Podujevës rrezikojnë ekzistencën e njësisë dhe vendet e punës

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A. ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit të Komunës së Podujevës për menaxhimin e mbeturinave, duke vlerësuar se gjendja e krijuar është pasojë e problemeve shumëvjeçare financiare dhe jo e zhv...

gusht 5, 2026 - 18:30
Reagon “Pastrimi”: Veprimet e Komunës së Podujevës rrezikojnë ekzistencën e njësisë dhe vendet e punës
reagon-“pastrimi”:-veprimet-e-komunes-se-podujeves-rrezikojne-ekzistencen-e-njesise-dhe-vendet-e-punes

reagon-“pastrimi”:-veprimet-e-komunes-se-podujeves-rrezikojne-ekzistencen-e-njesise-dhe-vendet-e-punes

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A. ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit të Komunës së Podujevës për menaxhimin e mbeturinave, duke vlerësuar se gjendja e krijuar është pasojë e problemeve shumëvjeçare financiare dhe jo e zhvillimeve të fundit.

Në një reagim zyrtar, kompania thekson se Njësia Operative në Podujevë prej vitesh operon me bilanc negativ financiar, pasi tarifa për grumbullimin e mbeturinave ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2008, në vlerën 4.70 euro me TVSH, pavarësisht rritjes së kostove të operimit, karburantit, mirëmbajtjes, pagave dhe shpenzimeve të tjera.

Sipas KRM “Pastrimi”, për shkak të kësaj situate njësia nuk ka arritur asnjëherë t’i mbulojë plotësisht pagat e punëtorëve dhe shpenzimet operative nga të hyrat e veta, ndërsa humbjet, sipas saj, janë mbuluar nga Prishtina.

Ndërmarrja pretendon gjithashtu se Komuna e Podujevës nuk i ka përmbushur ende obligimet financiare për investimet e realizuara, përfshirë objektin e ri të njësisë, gjë që, sipas saj, ka rënduar më tej gjendjen financiare.

Në reagim thuhet se ndërmarrjes i janë marrë konsumatorët dhe inkasimi në pjesën më të madhe të territorit të komunës, duke iu kaluar një operatori privat me vendim administrativ.

“Kjo nuk është ndihmë për KRM ‘Pastrimi’. Përkundrazi, është goditja më e rëndë që mund t’i bëhet një ndërmarrjeje publike, sepse i merren të hyrat me të cilat mbijeton”, thuhet në reagim.

KRM “Pastrimi” shpreh shqetësim edhe për mundësinë e angazhimit të operatorëve privatë përmes kontratave emergjente, duke e cilësuar këtë si një praktikë të parë edhe në komuna të tjera.

Ndërmarrja paralajmëron se do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur interesat e saj, punëtorët dhe njësinë operative në Podujevë.

Sipas saj, nëse vazhdohet me qasjen aktuale, rrezikohen vendet e punës të dhjetëra punëtorëve dhe ekzistenca e Njësisë Operative në Podujevë

KRM “Pastrimi” ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të publikojë raporte të detajuara financiare, ku do të përfshihen të hyrat, shpenzimet operative dhe pagat.

Sot, Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për shkak të gjendjes së rënduar me grumbullimin e mbeturinave, si pasojë e mosofrimit të rregullt të shërbimeve nga operatorët përgjegjës.

Vendimi është marrë nga Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, të mërkurën, dhe do të jetë në fuqi nga sot deri më 5 nëntor 2026.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.