Rrahja në Ferizaj eskaloi me kaçavidë, pesë të arrestuar dhe tre të lënduar
Policia e Kosovës ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, ku tre persona kanë pësuar lëndime trupore, njëri prej tyre është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK në Prishtinë. Rasti ka ndodhur rre...


Policia e Kosovës ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, ku tre persona kanë pësuar lëndime trupore, njëri prej tyre është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur rreth orës 00:15 me 11 gusht, në rrugën “12 Qershori”, ndërsa njësitet policore dhe hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e përleshjes.
Sipas Policisë, njëri prej të dyshuarve ka deklaruar gjatë intervistimit se kishte përdorur një kaçavidë, me të cilën dyshohet se ka goditur njërin nga personat e lënduar.
Policia ka sekuestruar kaçavidën si provë materiale, ndërsa ka siguruar edhe një video-incizim të incidentit.
Tre persona fillimisht janë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa gjatë ditës janë arrestuar edhe dy të tjerë.
Të arrestuarit janë D.A., 21 vjeç, E.A., 22 vjeç, A.N., 39 vjeç, O.A., 18 vjeç dhe A.A., 22 vjeç.
Njëri prej të lënduarve, SH.A., 33 vjeç, pas trajtimit në Qendrën Emergjente në Ferizaj është dërguar në QKUK, ku është duke marrë trajtim mjekësor.
Policia ka bërë të ditur se i lënduari do të intervistohet nga hetuesit pas stabilizimit të gjendjes së tij shëndetësore.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rast për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”, ndërsa me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.