Rreth 2 mijë vende më pak për studentët e rinj

Në të gjitha universitetet e Maqedonisë së Veriut, janë zvogëluar kuotat për regjistrimin e studentëve në vitin e parë, pasi tregu i punës është i mbingopur me kuadro në disa drejtime dhe ka numër të madh të papunësh, ndërsa në disa drejtim...

gusht 14, 2026 - 17:00
Rreth 2 mijë vende më pak për studentët e rinj

Në të gjitha universitetet e Maqedonisë së Veriut, janë zvogëluar kuotat për regjistrimin e studentëve në vitin e parë, pasi tregu i punës është i mbingopur me kuadro në disa drejtime dhe ka numër të madh të papunësh, ndërsa në disa drejtime të tjera punësueshmëria është shumë e lartë dhe madje ka mungesë të kuadrove. Këtë e bëri të ditur ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në një intervist për MIA-n, transmeton Portalb.mk.

Në prag të regjistrimeve universitare, Janevska tha se këtë vit në të gjitha universitetet janë reduktuar rreth 2.000 vende, por u shpreh e bindur se të gjithë maturantët do ta gjejnë vendin e tyre në fakultetin ku dëshirojnë të studiojnë.

“Kuotat i kemi ulur më shumë në drejtimet administrim biznesi, administratë publike, si dhe në disa programe të Fakultetit Ekonomik dhe atij Juridik, sepse pikërisht në këto fusha ka më shumë të papunë. Ndërkohë, në drejtimet mjekësore ka pasur gjithashtu rregullime. Në anën tjetër, drejtimet teknike – informatika, makineria dhe ndërtimtaria – kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, pasi punësueshmëria në to është shumë e lartë, duke arritur deri në 98-99 për qind”, deklaroi Janevska.

Ajo pret që deri në fund të këtij muaji të vazhdojë debati për tre ligjet për arsimin e lartë dhe shkencën, të cilat janë bllokuar në Kuvend nga blloku opozitar shqiptar, i cili kërkon që ato të miratohen sipas parimit të Badenterit.

“Mendoj se do të mbizotërojë arsyeja dhe se Kuvendi do të gjejë forcën për t’i tejkaluar çështjet politike, që këto tre ligje të mos përdoren për zgjidhjen e ndonjë çështjeje tjetër. Veçanërisht sepse tashmë kemi vonesa dhe nuk kemi kohë të humbasim me debate politike për diçka kaq të rëndësishme. Jam thellësisht e bindur se do të mbizotërojë arsyeja, sepse kjo është në interes të të gjithë të rinjve të vendit”, theksoi Janevska.

Dy konviktet e para studentore tërësisht të rinovuara, “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski-Pitu”, do të fillojnë të pranojnë studentë nga ky vit akademik.

Akomodimi në konviktin “Stiv Naumov” do të nisë më 1 tetor dhe ai tashmë është përfshirë në konkursin për pranim, ndërsa konvikti “Kuzman Josifovski-Pitu” pritet të hapë dyert më 1 nëntor, ndërsa konkursi për të do të shpallet më vonë.

Më pas do të vazhdojnë faza e dytë dhe e tretë e rindërtimit të konvikteve studentore në të gjithë vendin. Për të gjitha konviktet e rinovuara do të aplikohet një çmim i ri i akomodimit. Për momentin, kjo do të vlejë vetëm për konviktin “Stiv Naumov”, ku pagesa mujore nga 3.500 denarë është rritur në afro 6.000 denarë.

“Shteti do të vazhdojë të subvencionojë më shumë sesa vetë studentët, gjë që është në përputhje me politikat tona, por ndryshimet janë të domosdoshme. Për pjesëmarrjen shumë të ulët financiare kemi marrë vërejtje edhe nga Enti Shtetëror për Revizion, i cili kërkoi që të rishqyrtohet pjesëmarrja financiare e studentëve dhe e shtetit. Ky problem ka mbetur i pazgjidhur për 20 vjet. Pse katër ministrat para meje gjatë shtatë viteve të fundit nuk janë marrë me zgjidhjen e tij, nuk mund ta them, por modeli aktual nuk është i mirë dhe nuk është i qëndrueshëm”, shtoi ministrja.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 22 prill e ka miratuar versionin final të paketës së tre ligjeve që lidhen me arsimin e lartë, përfshirë Ligjin për arsimin e lartë, Ligjin për cilësinë në arsimin e lartë dhe atë për hulumtimet shkencore. Në fillim të korrikut, ky Ligj u dërgua në Kuvend.

Projektligji për arsimin e lartë, i cili supozohet të zëvendësojë zgjidhjen aktuale ligjore, u prezantua nga Janevska më 6 shkurt të këtij viti. Disa nga risitë e publikuara deri më tani kanë shkaktuar reagime në komunitetin akademik, por edhe nga partitë politike të opozitës, disa prej të cilave kanë kërkuar tërheqjen e ligjit të ri. Zgjidhja e re ligjore është tani cak i kritikave nga partitë opozitare, veçanërisht nga Lidhja Social Demokrate, e cila sheh në të elementë që do të ishin të dëmshëm për sistemin e arsimit të lartë në vend.

Nga ana tjetër, Janevska njoftoi gjithashtu se shpërndarja e teksteve shkollore nëpër shkolla është drejt përfundimit dhe nuk pritet të ketë mungesa gjatë vitit shkollor 2026/2027. Ajo theksoi se shkollat që nuk kanë paraqitur me kohë numrin e nevojshëm të teksteve do të duhet t’i sigurojnë vetë, pasi Ministria i furnizon ato sipas porosive të bëra.

Lidhur me faktin se deri tani janë regjistruar mbi 4.000 nxënës të klasës së parë më pak krahasuar me vitin e kaluar, Janevska tha se ky numër nuk është përfundimtar dhe pritet të ndryshojë deri në fund të shtatorit. Sipas saj, kjo lidhet kryesisht me faktin se një pjesë e prindërve ende nuk i kanë regjistruar fëmijët e tyre, si dhe me disa shkolla që nuk i kanë evidentuar nxënësit në sistemin elektronik E-Dnevnik.

“Edhe pse regjistrimet duhej të kishin përfunduar, përvoja e viteve të kaluara tregon se një numër nxënësish regjistrohen në fund të gushtit. Presim që ky proces të nisë brenda rreth dhjetë ditësh dhe të zgjasë deri në fund të shtatorit”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.