Rritet alarmi: 2 raste të reja me Nilitin Perëndimor – 56 të infektuar, 7 viktima
Dy raste të reja të virusit të Nilit Perëndimor janë konfirmuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa bilanci i përgjithshëm i rasteve të regjistruara ka arritur në 56. Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se nga katër rastet e dyshuara të test...
Dy raste të reja të virusit të Nilit Perëndimor janë konfirmuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa bilanci i përgjithshëm i rasteve të regjistruara ka arritur në 56.
Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se nga katër rastet e dyshuara të testuara së fundmi, dy kanë rezultuar pozitive për Ethet e Nilit Perëndimor.
Me rastet e reja, situata epidemiologjike rikthen në vëmendje përhapjen e virusit, veçanërisht në zonat ku janë regjistruar më shumë raste.
Sipas të dhënave të publikuara, nga 56 personat e infektuar deri tani, 40 janë shëruar, 8 vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, ndërsa 7 kanë ndërruar jetë.
Viktimat kanë qenë meshkuj të moshës 62 deri në 83 vjeç. Te pesë prej tyre janë evidentuar edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel.
LSDM akuzon Qeverinë për reagim të vonuar
Përballë këtyre të dhënave, LSDM ka kritikuar Qeverinë për atë që e cilëson si menaxhim të dobët dhe të vonuar të situatës.
Nga opozita pretendojnë se Maqedonia e Veriut është aktualisht vendi me numrin më të lartë të rasteve për kokë banori në Evropë dhe akuzojnë institucionet për vonesa në masat kundër mushkonjave.
“Qeveria e Mickoskit nuk ka kapacitet për të parandaluar dhe mbrojtur shëndetin e qytetarëve, por reagon vetëm pasi kriza të përshkallëzohet”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Opozita pretendon gjithashtu se sistemi për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve të transmetueshme përmes vektorëve nuk po funksionon siç duhet.
Mickoski: Komunat kanë kryer spërkatjet
Kryeministri Hristijan Mickoski i ka kundërshtuar kritikat, duke thënë se komunat kanë realizuar masat e parapara kundër mushkonjave.
Sipas tij, situata nuk është specifike vetëm për Maqedoninë e Veriut, pasi këtë vit rritje të rasteve janë regjistruar edhe në vende të tjera evropiane, veçanërisht në zonat mesdhetare.
“Fakt është që ky vit është me nivel më të lartë të të infektuarve me këtë virus, jo vetëm te ne, por te të gjitha vendet mesdhetare”, deklaroi Mickoski.
Kështu, përderisa institucionet shëndetësore vazhdojnë monitorimin e rasteve, përplasja politike tashmë është zhvendosur edhe te mënyra se si institucionet dhe komunat po e menaxhojnë rrezikun nga virusi i Nilit Perëndimor. Gazeta Flaka
The post Rritet alarmi: 2 raste të reja me Nilitin Perëndimor – 56 të infektuar, 7 viktima appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.