Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme ajrore, SHBA-ja i cilëson produktive bisedimet për sigurinë

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme ajrore gjatë natës, ndërsa në Bruksel kanë përfunduar bisedimet për rindërtimin dhe garancitë e sigurisë së Ukrainës pas luftës. Sipas Associated Press (AP), Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se k...

Nëntor 6, 2026 - 09:00
Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme ajrore, SHBA-ja i cilëson produktive bisedimet për sigurinë

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme ajrore gjatë natës, ndërsa në Bruksel kanë përfunduar bisedimet për rindërtimin dhe garancitë e sigurisë së Ukrainës pas luftës.

Sipas Associated Press (AP), Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se ka rrëzuar 496 dronë ukrainas, ndërsa autoritetet në Kiev raportuan për sulme ruse në disa rajone të vendit.

Në rajonin e Luhanskut, të pushtuar nga Rusia, 5 persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë plagosur nga një sulm ukrainas ndaj një autobusi, sipas udhëheqësit të emëruar nga Moska, Leonid Paseçnik. Hollësi të tjera për incidentin nuk janë bërë të ditura.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për më shumë se 30 persona që dyshohet se kanë mbetur nën rrënojat e një ish-shkolle dhe një strehimoreje në Komyshuvakha, në rajonin e Zaporizhzhias.

Objektet u goditën të hënën nga bomba të drejtuara ruse, në kohën kur banorët po prisnin ndihma humanitare.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 43, ndërsa 1 person që ishte raportuar i zhdukur është gjetur i gjallë.

SHBA-ja: Bisedimet në Bruksel ishin produktive

Në selinë e NATO-s në Bruksel ka përfunduar dita e dytë e diskutimeve ndërmjet përfaqësuesve të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian.

Në fokus ishin rindërtimi i Ukrainës pas luftës, financimi për vitin 2027 dhe garancitë e sigurisë që do të mbështeteshin nga aleatët perëndimorë.

Kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, ka njoftuar se në diskutime morën pjesë edhe përfaqësues të Bankës Botërore dhe kompanisë amerikane të investimeve BlackRock.

Ai tha se palët kanë diskutuar veçmas për kërcënimet që Rusia paraqet ndaj Ukrainës dhe Evropës, si dhe për hapat e përbashkët për t’iu kundërvënë atyre.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe i dërguari i tij për paqen, i cilësoi takimet si “produktive dhe përmbajtjesore”.

Bisedimet në Bruksel janë zhvilluar disa ditë para takimit të planifikuar ndërmjet negociatorëve të Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi, me synimin për t’i dhënë fund luftës.

Zelensky ka deklaruar se ka zhvilluar një bisedë 90-minutëshe me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.”Negociatat duhet të ecin përpara me ritëm të plotë për t’i dhënë fund kësaj lufte sa më shpejt. Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat e nevojshëm. Propozimet tona janë të qarta dhe ia kemi dorëzuar palës amerikane”, ka shkruar ai në platformën X.

BE-ja ndan 4.9 miliardë dollarë për Ukrainën

Komisioni Evropian ka transferuar të enjten 4.4 miliardë euro, përkatësisht rreth 4.9 miliardë dollarë, për Ukrainën.

Këto mjete janë pjesë e një kredie prej 90 miliardë eurosh, të miratuar në prill nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se fondet do të ndihmojnë Ukrainën të financojë shpenzimet thelbësore për mbrojtjen dhe shërbimet publike.

Ajo ka theksuar se vendi po përgatitet të hyjë në dimrin e 5-të që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të gjerë.

Sulmet me dronë shkaktojnë të plagosur dhe zjarre

Sipas autoriteteve ukrainase, mbrojtja ajrore ka rrëzuar ose neutralizuar 105 nga 128 dronët rusë të lëshuar gjatë natës dhe mëngjesit të së enjtes.

Nga sulmet janë plagosur 4 persona në rajonet e Dnipropetrovskut dhe Kievit.

Në anën tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se ka rrëzuar 496 dronë ukrainas mbi 13 rajone të Rusisë, Gadishullin e Krimesë dhe detet e Zi e Azov.

Më shumë se 200 dronë kanë shënjestruar rajonin e Ryazanit, në juglindje të Moskës, ku është raportuar për 1 të plagosur.

Guvernatori rajonal, Pavel Malkov, ka deklaruar se mbetjet e dronëve kanë dëmtuar linjat elektrike dhe kanë shkaktuar zjarr në një objekt industrial.

Mediat ruse kanë raportuar më pas për një zjarr në rafinerinë e naftës në Ryazan, duke publikuar pamje të tymit dhe flakëve.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.