Sa i kushtoi Kosovës mbrojtja e të akuzuarve në Hagë?
Mbi 40.6 milionë euro janë paguar nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë. Pjesa më e madhe e kësaj shume – rreth 39.8 milionë euro – është shpenz...
Mbi 40.6 milionë euro janë paguar nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë. Pjesa më e madhe e kësaj shume – rreth 39.8 milionë euro – është shpenzuar për mbrojtjen juridike, sipas të dhënave që Ministria e Drejtësisë e Kosovës ia ka dërguar Radios Evropa e Lirë.
Vetëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë paguar mbi 28.4 milionë euro nga viti 2021 deri më 14 shtator 2026. Të dhënat bëhen publike në prag të 16 shtatorit, kur katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të dëgjojnë aktgjykimin, pas më shumë se tre vjetësh gjykim. Të katërt, që mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Mbi 28 milionë euro për katër të akuzuarit
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nga fillimi i pagesave deri më 14 shtator 2026, nga buxheti i Kosovës janë paguar mbi 40.6 milionë euro në kuadër të mbështetjes për personat e akuzuar para Dhomave të Specializuara.
Prej kësaj shume, rreth 39.8 milionë euro janë shpenzuar për mbrojtjen juridike. Vetëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë paguar gjithsej rreth 28.47 milionë euro në periudhën 2021-2026.
Sa para u ndanë nga buxheti?
Kosova e ka marrë përsipër me ligj mbështetjen financiare të personave të akuzuar ose potencialisht të akuzuar nga Dhomat e Specializuara, përfshirë mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe formave të tjera të mbështetjes të përcaktuara me ligj. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, për vitet 2020 dhe 2021 së bashku ishin ndarë 14.14 milionë euro për zbatimin e këtij ligji.
Në vitin 2022 u ndanë 6.85 milionë euro, në vitin 2023 – 7 milionë, ndërsa në vitin 2024 – 6.85 milionë euro. Për vitet 2025 dhe 2026 janë ndarë nga 8.05 milionë euro. Këto ndarje arrijnë në rreth 50.95 milionë euro për periudhën 2020-2026.
Ministria nuk ka dhënë në përgjigjen e saj shifra për vitet para vitit 2020, ndonëse Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të dhëna për secilin vit nga viti 2015. Të dhënat e buxheteve të Kosovës, të mbledhura nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se ndarjet për këtë qëllim, për periudhën 2018-2026, arrijnë mbi 60 milionë euro. Ministria e Drejtësisë thotë se aktualisht nuk ka detyrime të papaguara ndaj avokatëve apo përfituesve të tjerë në kuadër të këtij programi.
Pagesat auditohen, por raporti nuk është publik
Shpenzimet për mbrojtjen në Hagë i nënshtrohen auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), por rezultatet e këtij auditimi nuk janë të qasshme për publikun. Në raportet e auditimit të Ministrisë së Drejtësisë, ZKA-ja ka sqaruar se pagesat nga subvencionet dhe transferet për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialisht të akuzuar janë të klasifikuara në nivelin “i kufizuar”. Për këtë arsye, ato nuk përfshihen në raportin publik të auditimit të Ministrisë. ZKA-ja thotë se këto pagesa auditohen ndaras dhe se për to përgatitet raport i posaçëm, i cili u komunikohet vetëm palëve përgjegjëse.
Kërkesa për më shumë transparencë
Ndonëse të dhënat nga Ministria e Drejtësisë japin një pasqyrë të detajuar të shpenzimeve për katër të akuzuarit, organizatat që kanë monitoruar këtë çështje, thonë se transparenca për përdorimin e këtyre mjeteve ka qenë problem ndër vite.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se ky institut ka ngritur që nga viti 2020 shqetësime për mungesën e informatave rreth mënyrës se si shpenzohen paratë publike për mbrojtjen në Hagë./REL
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.