Sali nga Dublini: Zgjerimi i BE-së duhet të jetë i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita
Sali përshëndet vizionin e Marta Kos për integrimin gradual të vendeve kandidate në BE Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më vetëm zgjedhje politike, por domosdoshmëri gjeopolitike dhe investim në sigurinë, stabilitetin dhe konkurruesh...
Sali përshëndet vizionin e Marta Kos për integrimin gradual të vendeve kandidate në BE
Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më vetëm zgjedhje politike, por domosdoshmëri gjeopolitike dhe investim në sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës, deklaroi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali.
Sali foli në takimin joformal të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së, të mbajtur në Dublin nën presidencën irlandeze të Këshillit të BE-së.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian, zbatimit të reformave dhe përafrimit të plotë me vlerat dhe politikat e BE-së.
Sesioni kushtuar zgjerimit mblodhi ministrat e vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësuesit e vendeve kandidate e partnere, me fokus përshpejtimin e reformave dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Duke folur për përvojën e vendit në procesin e anëtarësimit, Sali vlerësoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka qenë një nga shtyllat kryesore të transformimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke kontribuar në forcimin e legjislacionit, ekonomisë dhe administratës.
Megjithatë, sipas tij, sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv i reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe administratën publike.
Sali përshëndeti vizionin e komisioneres evropiane për zgjerimin, Marta Kos, për një model më ambicioz të integrimit gradual, i cili do t’u mundësonte vendeve kandidate të përfshihen hap pas hapi në politikat, programet dhe pjesë të Tregut të Përbashkët të BE-së edhe para anëtarësimit të plotë.
Sipas tij, integrimi gradual do të përshpejtonte përgatitjet, do të sillte përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset dhe do të rriste besimin në proces, ndërsa objektivi përfundimtar mbetet anëtarësimi i plotë në BE.
Ai nënvizoi se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita, në mënyrë që reformat dhe vendimet e vështira politike të shoqërohen me përparim konkret.
“Maqedonia e Veriut ka zgjedhur Evropën. Jemi të gatshëm të përmbushim pjesën tonë dhe presim që përkushtimi, reformat dhe rezultatet tona të njihen me përparim. Investimi në kapacitetet tona është investim në një vend të ardhshëm anëtar dhe në një Evropë më të fortë”, deklaroi Sali.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.