Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar lidhur me rastin e Besar Sejdiut, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza”, i cili gjatë udhëtimit drejt Italisë, së bashku me kolegët e tij, është ndaluar për kontroll të veçantë në pikën kufitare në Bllacë.

Sipas Selimit, Sejdiu është veçuar nga grupi dhe është shoqëruar në ambientet e brendshme të pikës kufitare, pasi i është komunikuar se institucionet e Maqedonisë së Veriut e kanë vendosur në një listë të veçantë për kontroll.

“Sot ndodhi diçka që nuk do të duhej të ndodhte!”, shkruan Selimi, duke vlerësuar reagimin solidar të studentëve, përfshirë edhe Parlamentin Studentor të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.

Megjithatë, analisti ka drejtuar kritika ndaj kryetarit të Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Gent Kurtishi, për të cilin thotë se nuk iu bashkua reagimit dhe se deri në momentin e fundit ka taktizuar për t’iu shmangur mbështetjes së tij.

“Kush mungoi në këtë reagim? Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Gent Kurtishi, i cili deri në momentin e fundit taktizoi për t’iu shmangur reagimit”, thekson Selimi.

Ai ngre dilema nëse mungesa e Kurtishit ishte rezultat i ndonjë ndikimi apo presioni, apo një vendim i tij për të mos u përfshirë në reagimin solidar të studentëve.

“Pse? A është instrumentalizuar nga dikush? A ka pasur presione për të mos e mbështetur reagimin? Apo thjesht ka vendosur që heshtja është më e leverdishme sesa solidariteti me kolegët e tij?”, pyet Selimi.

Në reagimin e tij, analisti e lidh këtë çështje edhe me historinë e Universitetit të Tetovës, duke theksuar se institucioni është ndërtuar mbi rezistencën, sakrificën dhe këmbënguljen për arsimin në gjuhën shqipe.

“Universiteti i Tetovës nuk u ndërtua mbi heshtjen dhe kalkulimet politike. U ndërtua nga njerëz që nuk heshtën as kur çmimi i fjalës së tyre ishte shumë më i lartë”, shkruan Selimi.

Në fund, ai thekson se studentët e Universitetit të Tetovës meritojnë përfaqësues që respektojnë historinë e institucionit dhe tregojnë solidaritet me kolegët e tyre në situata të tilla.

Flaka Media

The post Sefer Selimi kritikon kryetarin e Parlamentit Studentor të UT-së: “Kush mungoi në reagimin për Besar Sejdiun?” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.