Selami: AKI dëshmon opozitën me punë konkrete, VLEN nuk votoi për projektet në interes të shqiptarëve

Këshilltari i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Qytetin e Shkupit, Abdul-Selam Selami, ka prezantuar një pjesë të punës dhe rezultateve që, sipas tij, janë arritur nga këshilltarët opozitarë të koalicionit në Këshillin e Qytetit të S...

shtator 4, 2026 - 16:00
Selami: AKI dëshmon opozitën me punë konkrete, VLEN nuk votoi për projektet në interes të shqiptarëve

Këshilltari i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Qytetin e Shkupit, Abdul-Selam Selami, ka prezantuar një pjesë të punës dhe rezultateve që, sipas tij, janë arritur nga këshilltarët opozitarë të koalicionit në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

Selami thotë se veprimi opozitar nuk matet vetëm me deklarata, por me propozime konkrete, kërkesa institucionale dhe presion të vazhdueshëm për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Këshilltarët në kuadër të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Qytetin e Shkupit, çdo ditë dëshmojnë se veprimi opozitar nuk bëhet dhe nuk matet vetëm me deklarata, por me propozime, kërkesa konkrete në interes të qytetarëve, presion institucional, punë të vazhdueshme dhe rezultate konkrete”, deklaroi Selami.

Nga tabela në hyrje të Shkupit te Bit Pazari

Sipas Selamit, këshilltarët e AKI-së kanë kërkuar korrigjimin e tabelës në hyrjen lindore të Shkupit, ku, siç thotë ai, mungonte gjuha shqipe. Kryetari i Qytetit të Shkupit, sipas tij, e ka pranuar publikisht lëshimin dhe është zotuar se tabela do të korrigjohet.

Një tjetër çështje e ngritur nga këshilltarët e AKI-së ka qenë vendkalimi i këmbësorëve te Bit Pazari.

Kërkuam zgjidhje për vendkalimin e këmbësorëve te Bit Pazari. Pas analizave dhe konsultimeve të bëra, ai do të legalizohet dhe do të pajiset me sinjalizim përkatës dhe semafor të përshtatshëm”, tha Selami.

8 milionë eurot për Bulevardin “Hasan Prishtina”

Selami e veçoi edhe Bulevardin “Hasan Prishtina”, për të cilin thotë se këshilltarët e AKI-së kanë insistuar që mjetet prej 8 milionë eurosh të mbeten të destinuara për këtë projekt.

Kërkuam dhe insistuam që mjetet prej 8 milionë eurosh të mbeten të destinuara për këtë projekt dhe të mos ridestinohen”, deklaroi ai.

Ai i bëri apel kryetarit të Qytetit të Shkupit që ndërtimi i bulevardit të nisë sa më shpejt.

Shtatë amendamente dhe akuza ndaj VLEN-it

Sipas Selamit, këshilltarët e AKI-së kanë paraqitur shtatë amendamente që lidhen me Çairin, Sarajin, Nerezën e Epërme, pacientët onkologjikë, personat me aftësi të kufizuara dhe shkollat e dëmtuara nga stuhia.

Gjithashtu, është paraqitur edhe amendament për parkingun montazh në “Çairçana”.

Selami pretendon se këto amendamente janë votuar nga këshilltarët e AKI-së dhe nga këshilltarë të caktuar të partive të tjera politike, ndërsa VLEN-i nuk ka votuar.

VLEN nuk votoi. Nuk pati votë për projekte në interes të qytetarëve shqiptarë!”, tha Selami.

Ai shtoi se, sipas tij, ekziston një dallim mes deklaratave publike dhe veprimeve në Këshillin e Qytetit.

Kur bëhet fjalë për deklarata, VLEN është gjithmonë i pranishëm. Kur nevojitet një votë konkrete për Çairin dhe komunat e tjera përreth, VLEN, si gjithmonë, mungon. Hesht. Nuk voton”, deklaroi këshilltari i AKI-së.

Selami: U hapën biblioteka dhe u avancua projekti i ujësjellësit

Si rezultate të punës së tyre, Selami përmendi hapjen e bibliotekave në kuadër të shkollave të mesme në Saraj dhe Çair, si dhe projektimin e vazhdimit të rrjetit të ujësjellësit në Nerezën e Epërme.

“Vetëm 23 shqiptarë nga 139 anëtarë të bordeve”

Në pjesën tjetër të deklaratës, Selami u ndal te përfaqësimi i shqiptarëve në bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të Qytetit të Shkupit.

Sipas tij, nga gjithsej 139 anëtarë të bordeve, vetëm 23 janë shqiptarë, që përbën rreth 15 për qind.

Në disa borde madje nuk ka asnjë shqiptar. Zero. Kjo nuk është përfaqësim i drejtë dhe adekuat. Do të kërkojmë korrigjim urgjent të kësaj gjendjeje”, theksoi Selami.

Ai tha se AKI-ja do të mbështesë edhe projektet që i konsideron të dobishme për qytetarët, duke përmendur si shembull rrethrrotullimin dhe urën në Saraj me lidhje drejt autostradës.

Ne, si këshilltarë të AKI-së, do të vazhdojmë të kërkojmë atë që u takon qytetarëve – me punë, me propozime dhe me votë”, përfundoi Selami. Gazeta Flaka

The post Selami: AKI dëshmon opozitën me punë konkrete, VLEN nuk votoi për projektet në interes të shqiptarëve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.